kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vilnius të Lituanisë në kuadër të Samitit të NATO-s që do të nisë punimet ditën e nesërme.
Kreu i qeverisë shqiptare është takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Në foto, kryeministri grek shihet i qeshur, ndonëse marrëdhëniet mes tij dhe Ramës nuk janë në ditët më të mira, për shkak të përplasjes pas arrestimit të Fredi Belerit. Athina zyrtare ka kërcënuar se do e ngrejë çështjen në institucionet më të larta të BE-së dhe se do të pengojë integrimin e Shqipërisë.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, Rama është takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Siç ka njoftuar edhe më herët, Rama do të konfirmojë gjatë Samitit të NATO-s dedikimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Aleancës së Atlantikut Verior, mbështetjen ndaj luftës së Ukrainës kundër Rusisë si dhe do të ngrejë shqetësimin për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë duke kërkuar vëmendje më të madhe për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.