Ahmetaj rrezikon deri në 15 vite burg: Tre akuza, gjashtë akte korruptive

10 July 2023, 12:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ahmetaj rrezikon deri në 15 vite burg: Tre akuza, gjashtë akte
Arben Ahmetaj

Akuza për shpërdorim detyre e ngritur fillimisht nga SPAK ndaj Arben Ahmetajt ka rënë. Ish-ministri përballet tashmë me tre akuza, atë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe deklarimi i rremë ose fshehja e pasurisë.

Nga tre akuzat, ajo që rëndon më shumë pozitën e Arben Ahmetajt para drejtësisë është akuza e pastrimit të parave, në 6 raste, që sipas parashikimeve të kodit penal dënohet me burg nga shtatë deri në 15 vjet.

Akuza e korrupsionit vjen fill pas kësaj akuze, me parashikimin ligjor prej 4 deri në 12 vitesh burg, ndërsa akuza për fshehje pasurie dënohet me gjobë, deri në 3 vite burg.

Për të trija këto akuza, SPAK duhet të bindë më parë Kuvendin që ta autorizojë për arrestimin dhe kontrollin e banesës së deputetit. Procedura, që ka nisur këtë të hënë me dorëzimin e shkresës në Kuvend nuk pritet që të përmbyllet para muajit shtator.

Prokurorët e SPAK, kërkesën duhet ta shoqërojnë para komisionit të mandateve dhe legjislacionit me provat që kanë në ngarkim të ish-ministrit. Për akuzën e korrupsionit ka një sërë dokumentesh në dorë të SPAK, përfshirë këtu edhe blerja në emër të partneres së tij të vilës në Hamallaj, me një vlerë pesë herë më të lirë se çmimi i tregut.

Po, ashtu janë edhe faturat e hoteleve ku ka qëndruar Ahmetaj në disa vende të europës, të cilat janë paguara nga Klodian Zoto, i shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorëve.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video