Debate me tone të ashpra janë zhvilluar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet për heqjen ose jo të mandatit të deputetit Arben Ahmetaj.
Anëtari i opozitës në Këshill, deputeti Gazment Bardhi është përplasur ashpër me Ermonela Felajn gjatë debatit nëse seanca duhet të zhvillohet apo jo me dyer të hapura për mediat.
Bardhi thotë se është fyer nga deklaratat e Felajt, dhe i është përgjigjur duke i thënë se emri i saj është në dosjen e sjellë nga SPAK-u, mes provave për Arben Ahmetajn.
“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi!”, ka deklaruar Bardhi në debat e sipër.
Bardhi ka akuzuar maxhorancën se po bëhet pengesë ndaj drejtësisë për arrestimin e Ahmetajt.
“Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët. Mazhoranca po ndihmon Ahmetaj që të arratiset dhe SPAK mos ta kapë atë”, ka deklaruar Bardhi në debat e sipër.
Mbledhja ku ndodhen të pranishëm prokurorët e SPAK dhe avokatët e Ahmetajt, ka rinisur pas disa çastesh ndërprerje.