TIRANË / ZERQAN / ÇOROVODË – Mari-Antuaneta Testagrande mund të durojë gjithçka, por fukarallëkun e popullit jo. Pinjollja e shquar e dinastisë Hohenshtaufen nga Zerqani i Dibrës e ka shprehur shumë herë neverinë e saj për këtë qeverisje populiste dhe gjakpirëse, por siç pohojnë burimet për Patronazhistin, zonja Testagrande ka ndërmarrë së fundi një fushatë agresive që do ta hedhë në koshin e plehrave të historisë këtë kryeministër mashtrues dhe pasuesit e tij.
E vërteta është se princesha e popullit, në fillim reagonte me delikatesë dhe rrallë, sepse nuk ja lejonte edukata dhe sëra që të prishte gojën me kryeministrin piktor.
Shumicën e prononcimeve ajo e bënte nga kështjella e familjes në Lalz, pronë qindravjeçare që nga koha e të famshmit Kryemadh Pashë Testagrande, që e bëri pasurinë duke luftuar kundra rebelëve bashibozukë socialistë në Jemen dhe Tarabulluz.
Madje më saktë, kritikat e saj ndaj qeverisjes ajo i bënte nga banjoja e katërt e maces së dytë të shtëpisë, Merjemes, dhe më rrallë nga pishina e dytë e qenit të tretë, Miços, teksa i shpjegonte arredimin e ri gazetares së njohur investigative Somnabule Meço.
“Ky piktori s’ja ka haberin fare fukarallëkut të popullit mi. Njerëzit s’ka bukë të hanë po të them. Për këto pllakat ngjyrë kremi jam penduar, të them të drejtën. E shof që Merjemja s’e ka me qejf të rrijë këtu. Ty si të duken moj Somna?”
“Mua si gazetare investigative, ajo që më bie në sy është kontrasti befasues i shumatores së nuancave të pllakave anësore me ndriçimin kuazi-gotik të dritave të pasqyrës qëndrore. Megjithatë keni të drejtë, kjo qeveri është e poshtër”, përgjigjej me objektivitet Somnabulja.
***
Por Mari-Antuaneta Testagrande si aristokrate e popullit e kuptoi që kritikat me pambuk këtyre derrave nga njëri vesh u hynin, nga tjetri u dilnin. Atëherë ajo vendosi të përvishte mëngët, të hiqte mustaqet, të bënte disa seanca plastike dhe botoksike tek një klinikë e thjeshtë popullore në Vjenë dhe t’i qepej kryeministrit me havjar në trastë, si i thonë llafit.
Kështu, herën e parë ajo zgjodhi një palë pantofla nga ato 250 euroshet që i kishte lënë shërbyesja në raft pasi u zgjodh deputete, dhe doli të takojë popullin.
“Hë mor popull, si po ja kalon? Jeni t’u vdek për bukë, hë? Më thoshte mua gazetarja Somnabule Meço, por s’e besoja. Duhej të katandisesha vetë me shapka të përdorura, që ta kuptoja se çfarë domethënë fukarallëk. Por mos u mërzisni, sa të vijë shtatori dhe do t’i hedhim në det gjithë koncesionarët, që po grabisin florinjtë e shtetit dhe po i fshehin në Londër”.
Herën e dytë, Testagrande vuri një palë syze dielli që i kishte lënë bebisiteri i fëmijëve pasi u bë koordinatore partie, gjysllyqe të thjeshta nga ato 600 mijë lekëshet, dhe u përzie prapë mes njerëzve të thjeshtë.
“Mua më akuzojnë se e shoh realitetin me syze të errëta, por e vërteta është që kështu si kanë ardhur kohët, jo ju që jeni pocaqi denbabaden, po as familja ime nuk ka bukë të hajë. Na e ka ndaluar doktori se, siç e dini, kjo qeveri e ka ngritur nivelin e kolesterolit në qiell. Nuk zihet me dorë po ju them. Bëjnë sikur e ulin pak, pastaj e rrisin edhe më shumë”.
Kur një pabuks prej vërteti e pyeti se mos e kishte fjalën për naftën, Mari-Antuaneta ja ktheu: “Hë! Mirë që ma kujtove. Edhe nafta është rritur, posi!”
Herën e tretë aristokratja e thjeshtë vendosi të vërë një palë vathë perlash që i kishte harruar në raft shoqëruesi i dytë i Missit (Missi është macja e parë e shtëpisë), pasi u gradua në sekretar organizativ të partisë. E keni parasysh, nga ato 2 milionë lekëshet që i gjen me kile te Tiffany në Nju Jork.
“Shikoni o popull ku u katandisëm! Të dalim në pazar me vathë të rëndomtë, si ato nuset e Zerqanit në vitet 50-të. Ngrihuni t’i biem qënit, se ne jemi Vojokushër, Avnirustemër dhe Rizacerovër!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me shapka 500 lekëshe