KRONIKË / Policët keqkuptojnë porositë e Ministrit të Brendshëm

12 August 2022, 22:01Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KRONIKË / Policët keqkuptojnë porositë e Ministrit të
Policët keqkuptojnë porositë e Ministrit të Brendshëm

TIRANË / POTAM / SOKAKU I TË MARRËVE – Nga njëra anë, porosia e Ministrit të Brendshëm mund të thuhet se ishte zbatuar. Çuçja kishte folur qartë, kur mblodhi gjithë shefat e policisë dhe vetë kryepolicin.

“Nuk dua të shoh më skafe dhe xhetskira që dalin nga uji, u vërviten shezlongjeve dhe plagosin njerëz,” tha prerë Çuçja atë ditë të nxehtë korriku.

Dhe kështu ndodhi edhe në Potam. Bile shefi i policisë që ngiste mjetin u kujdes personalisht që skafi të mos dilte nga uji, dhe njerëzit të mos plagoseshin kot së koti, por të vriteshin në vend brenda në ujë, pa u rënë në qafë çadrave.

Çuditërisht, menjëherë më pas Çuçja u zhduk nga qarkullimi. Situatën e mori në dorë Gledisi, i cili me një dylbi në dorë - si Kreshnik Spahiu vaktit që kontrollonte ishullin grek të Korfuzit se mos i afrohej tinëzisht Sarandës – skanonte gjithë bregdetin e Shëngjinit për mjete ujore të paligjshme, si reagim për ngjarjen që kishte ndodhur 400 kilometra më në jug.

Çucja ishte ankuar privatisht tek e shoqja, Defina Lico. “Unë u thashë të mos plagosni njerëz, jo të vrisni. Të betohem që më kuptuan gabim,” sqaroi ai. Dhe Defina menjëherë telefonoi Edin.

“Dëgjo Edush,” i tha, “burri im nuk ka faj. Po po, këtu e kam. Është tronditur shumë. Pastaj aksidente ndodhin në gjithë botën. Fundja, ç’punë ka ajo fëmija të rrijë buzë ujit me babën përdore. Nuk e dinin ata që aty do kalonte shefi i policisë me skaf? E tmerrshme, pse të na ndodhin këto gjëra. Unë e shkreta doja të flisnim për atë projektin e Bankës Botërore, s’na u ndanë prapësitë… Burrin s’do ma ngacmosh, okej?”

Dhe realisht, Policia e Shtetit e kishte kuptuar gabimin, sepse pak ditë më pas, pikërisht në pikën ku ndodhi ngjarja në Potam, u panë të lëviznin skafe plot me njerëz, por kësaj radhe me kujdes dhe pa prerë koka plazhistësh.

***

Një vëzhgues i paanshëm mund të thotë që Çuçes s’para i ka ecur në jetë, si gjirokastrit nga Sokaku i të Marrëve që ishte. Se ja, kur e vunë të bënte reformën territoriale, ai s’la televizion pa dalë, duke thënë se reforma do ndihmonte Socialistët të fitonin gjithmonë zgjedhjet, do pakësonte stafet që merrnin rroga qyl, do ulte shpenzimet administrative, do zhdërvjellonte administratën lokale dhe do zgjidhte hallet e njerëzve. Nga të gjitha premtimet, vetëm e para i doli, fitorja e socialistëve. Se shpenzimet dhe punësimet partiake u dyfishuan.

Po atëherë Defina i dha karar.

“Epo të gjitha s’do na dalin. Pastaj leku shkon e vjen, rëndësi ka që Edi është i kënaqur me premtimin e parë,” i tha ajo. Dhe i dha një këshillë:

“Dëgjo këtu. Se ja thosha dhe Edit dikur, kur shkonim nëpër plazhet e Francës falas, ngaqë s’i përballonim dot shezllongjet e Dhërmiut: Mos u fokuso vetëm tek puna jote. Shiko rreth e rrotull, kush ka bërë ndonjë sukses, kush merr lëvdata, rriji afër dhe përvetësoja”.

***

Burimet për Patronazhistin thonë se Çuçja po e zbaton pikë për pikë këshillën e Definës.

Sapo Guardia di Finanza kapi një ton hashash të nisur nga Shqipëria, ai doli dhe lavdëroi punën e policisë shqiptare, e cila pati dhe një doçkë ndihme nga miqtë italianë. Sapo grekët zunë dy karvanë me mushka droge të nisura me qiraxhinj në Grebene, Çuçja duartrokiti punën investigative të policisë kufitare.

Në këtë linjë, ai ka vlerësuar përpjekjet e policisë shqiptare për çdo sukses anti-drogë, nga Karaibet në Malajzi, nga Siberia në Afrikën e Jugut.

Vetëm se i ndodhi një incident i vogël. Kur ishte duke ngritur në qiell djegien e plantacioneve të kokës në Kolumbi nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë kolumbiane, e lajmëruan se në Durrës, kishin hapur natën një kontejner dhe kishin vjedhur 50 arka me banane.

Aty Çuçja u nxeh dhe mori në telefon vetë Edin: “Kjo është e tepërt. Bananet nuk i kam unë,” i tha, “frutat i mbulon ministria e Bujqësisë!”        

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike në një republikë bananesh


Video