PROFIL / Shkëlqimi dhe rënia e Tigrit të Bengalit

26 July 2022, 11:54Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PROFIL / Shkëlqimi dhe rënia e Tigrit të Bengalit
Tigri i sikletosur majtas Edvinit në parlament gjatë betimit të presidentit

TIRANË / LONDON – Ja kishin thënë prej muajsh, e kishte patur si parandjenjë prej javësh, por vetëm ditën e ceremonisë së marrjes së detyrës nga presidenti i ri e kuptoi që kjo punë kishte marrë fund.

Kryeministri zëvendës Ahmet Arbenaj, njëherësh ministër i Rindërtimit me emër arti Tigri i Bengalit (kjo e fundit sepse besohet që ai ja pat sugjeruar Edvinit të sillnin punëtorë nga Bangladeshi) ishte si mbi gjemba që në mëngjes atë ditë ceremoniale.

U çua me dhimbje koke. Më therrin kryqet, tha, më duket se do bjerë shi. I kishin ardhur zërat prej muajsh se Edvini do ta shkarkonte, dhe kjo ishte më e pakta. Nuk ja varte më, e injoronte, i rrinte larg. Sa herë Tigri i shkretë i qasej për t’i thënë ndonjë barcaletë, Edvini ngërdheshej dhe ja kthente: Ëhë, kjo është e vjetër, ma ka treguar pardje Ballukja. 

Vendosi të takohej me Agushin e Presidencës.

Ore, do më shkarkojë ai mua, i tha, rrezik e ka marrë vesh që rrjedhja e atyre dokumenteve të inceneratorëve ka ardhur nga zyra ime.

Nuk të bën dot gjë, e siguroi Agua, edhe po e firmosi shkarkimin, nuk e dekretoj unë. Ti e di që unë jam si Vojo Kushi, apo jo?

Vojo Kush?, pyeti Tigri i shpërqëndruar.

Kushi ore, Kushi ka mbiemrin, ai aktori që hodhi bombën brenda tankut te Njësiti Guerril, u acarua Agua me injorancën kinematografike të Arbenajt. Ty jo tigër, po kotele të paska bërë ai i Gjati.

Aha, the Tall One, foli me vete Tigri, dhe befas u kujtua për diçka: Si thua Agush, nuk bëj keq t’i rikthehem anglishtes, po?

***

Tigri gati-gati ishte penduar që kishte punuar kaq shkëlqyeshëm për rindërtimin, duke strehuar në vila e apartamente luksoze të gjithë të dëmtuarit. I kujtohej si tani kur Edvini e llastoi para të gjithëve në një ceremoni dorëzimi çelësash: Zoti Arbenaj, pothuaj më vjen inat që s’më ra dhe mua tërmeti, se do kisha marrë dhe unë i shkreti shtëpi të hajrit si këto.

Tigri i pëshpëriti me lezet: Sot do u japim çelësat sa për fotografi, se shtëpitë nuk kanë mbaruar akoma!

Ehhh, kohëra të arta, psherëtiu kryeministri zëvendës. Por nostalgjia nuk ja kishte zbehur instinktet prej felini. Kishte kohë që komunikonte me Londrën, ku kishte zhvendosur shumicën e aseteve të grumbulluara në vite: Pajën e të shoqes, zahiretë tipike të gjirokastritit për të shtyrë dimrin, si një kavanoz turshi, dy kile trahana, një tas me dhjamë keci, tre trasta mollë dhe ca dhjetra milionë paund.

Të nesërmen ishte ceremonia dhe ai do sillej normal. Mbase, tek e fundit, të gjitha ishin thashetheme.

***

Pasditen e ndërrimit të presidentëve, Tigri vajti në parlament dhe u ul në podium, tek posti i tij pranë kryeministrit. Por skenografia i la një shije të hidhur. I Gjati kishte veshur një kostum ngjyrë kremi, që kontrastonte me hijen e tij të rëndë; sa i ngjante me shokun Enver! Nuk i qeshte buza, ndërsa Tigrit gjithnjë e më shumë po i dukej vetja si Mehmet Shehu në kongresin e 8-të, dy javë para se ta vetëvrisnin.

Doli nga Kuvendi dhe iu drejtua Presidencës. Për dreq, seç iu kujtuan ca vargje të vjetra komitësh gjirokastritë.

Moj Presidenca me Vulë,

Ç’e bëre Lilo Hajdunë…

Lilua me dizet vetë

Vanë në litare vetë!

Vendosi të rrijë me ministrin e Mbrojtjes, Piko Meleshin, se mos merrte vesh ndonjë gjë më shumë. Por pasi i treguan ca gallata njëri-tjetrit, Pikua ja preu drutë shkurt: Dëgjo Tigër, i tha, gjithmonë je ofenduar kur të kanë thënë se je mësues anglishteje, por ja si e sjell koha. Tani që do shpërngulesh në Londër, duhet të falendërosh zotin që studiove për anglisht…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-britanike

PROFIL / Shkëlqimi dhe rënia e Tigrit të Bengalit
Tigri duke qeshur me zor me shakatë e kripura të Pikos

Video