TIRANË / PODGORICË / KIEV – Agjencitë rajonale të lajmeve bëjnë me dije se vizita e kryeministrit të Malit të Zi Abaz Dritanovic në Kiev, me ftesë të presidentit Zelenski u rrezikua seriozisht para një jave.
Siç u bë publike, Zelenski ftoi Dritanovicin të vizitonte Kievin, dhe kryeministri djaloshar mendoi se do ishte e udhës që bashkë me të, të udhëtonin dhe kryeministra të tjerë të NATO-s nga Ballkani. Ftesa e parë iu bë Edvin Pikasos, i cili jo vetëm pranoi, por kërkoi të marrë me vete edhe ministra të tjerë.
Dy emrat që ai përzgjodhi ishin Episa Spirodhalla dhe Ahmet Arbenaj, i mbiquajtur “El Tigre” nga një koleg kolumbian për shkak të instikteve prej felini në nuhatjen e godinave të dëmtuara që duhen rindërtuar urgjentisht.
Abazi ra dakord. “Shumë mirë,” tha ai, “se edhe bëjmë muhabet rrugës. A di të luajë pesëqinç Ahmeti?”
Edvini iu përgjigj: “Nuk di a e luan pesëqinçin, por e ke të sigurtë që El Tigre është nontenonç”.
Ndërkohë që gjithçka u bë gati dhe grupi u mblodh, kryeministri shqiptaro-malazez vëren se Episa Spirodhalla kishte ardhur me katër valixhe.
“Janë kostume për t’u ndërruar, se unë jam shumë higjienike si tip,” sqaroi ajo.
Por Dritanoviçi u vrenjt. Jo sepse nuk e kuptoi sesi higjiena mund të mbahet duke ndërruar palltot dhe jo të brendshmet; por sepse hapësirat e prenotuara ishin me pikatore. Ai kërkoi që delegacioni shqiptar të marrë masa për të pakësuar peshën e udhëtimit. Por Pikaso kundërshtoi:
“Abaz, ja si është situata: Ose do vijmë unë me El Tigre dhe Episën pa kostume, ose ne dy çunat me kostumet e Episës, por pa Episën; ose do nisim kostumet para bashkë me ty, dhe ne vijmë mbrapa!”
***
Debati vazhdoi për disa minuta. Një moment Ahmet Arbenaj sugjeroi një zgjidhje: “Shiko zoti Dritanovic. Ti edhe mund të mos vish fare, ja do vemi ne për tyja. Pse të lodhesh kot?”
Por edhe Abazi qëlloi maçok, ndaj iu kthye Tigrit:
“Po mirë mor vlla, ti je zv.kryeministër. Po ike dhe ti bashkë me Edvinin, kush do qeverisë në Tiranë?”
Episa Spirodhallës i shkëlqyen sytë nga një ide që i erdhi dhe u bë gati të fliste, por Arbenaj e kapi situatën:
“Zoti shef Edvini, merr Episën dhe nisu. Abazi ka të drejtë. Unë do ju ndjek në distancë dhe do ju mbaj në korrent!”.
Kështu ndodhi që udhëtimi i Abazit dhe Edvinit drejt Kievit u shpëtua çastin e fundit.
***
Por El Tigre nuk u ndal me kaq. Ai studioi në hartë zonat e shkatërruara në qytetet ukrainase, për të filluar sa më shpejt rindërtimin. Pastaj i telefonoi Pikasos:
“Dëgjo shef. Siç kemi folur, thuaj Zelenskit që rindërtimin do ta marr unë përsipër, mos të kemi llafe. Edhe fondet që do japë BE dhe SHBA duhet të kalojnë përmes nesh. I kam caktuar që tani qytetet kryesore, edhe ustallarët turq janë gati. U bëjmë dhe një xhami aty në Kiev. Kemi akumuluar gjithë këtë përvojë, pse të shkojë kot?”
Dhe për të bërë një provë, në emër të qeverisë shqiptare Ahmet Arbenaj i drejtoi një kërkesë Rusisë:
“Ju lutemi, ndërprisni për nja tre ditë bombardimet në Kharkiv, sa të ndërtojmë për provë dy shtëpi model mini-vilë me pre-fabrikat, pastaj vazhdoni prapë…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që e ndërron xhaketën një herë në tre ditë, jo tre herë në ditë…