BEFASIA / FBI zbulon se Donald Tramp ka paguar 700 mijë dollarë për të sjellë në SHBA Agush Metajn…

16 June 2022, 13:35Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
BEFASIA / FBI zbulon se Donald Tramp ka paguar 700 mijë dollarë
Agush Metaj duke vrarë mendjen pse Donaldi ishte fiksuar me të

UASHINGTON / TIRANË – Gjërat nuk janë kurrë ashtu si duken. Një tjetër skandal ka plasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i kaluar në plan të dytë seancat dëgjimore të Kongresit lidhur me sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kapitolit.

Mediat amerikane kanë zbuluar se ish-presidenti Donald Xhei Tramp ka paguar të paktën 700 mijë dollarë për të sjellë medoemos në Uashington një politikan të lartë shqiptar, dhe për ta vënë në krye të tavolinës ditën e inaugurimit të presidencës së tij në vitin 2017. Sipas burimeve të Patronazhistit, politikani ka bërë shumë rezistencë, por në fund është dorëzuar. “Mirë o shejtan, mirë, do vij, s’po ta prish,” ka thënë politikani.

Ditët e fundit, rrjeti televiziv CCN ka nxjerrë dhe emrin e lojtarit të lartë politik shqiptar. Ai quhet Agush Metaj.  

***

Studimi i dokumenteve, transkriptet e telefonatave dhe mesazhet e shumta që janë këmbyer mes palëve, hedhin dritë edhe mbi peripecitë e pabesueshme që hoqi Donaldi për të bindur Agushin ta nderonte në ceremoni. Një vështrim i hollësishëm mbi këtë sagë na thotë se historia e kësaj marrëdhënieje ka nisur të paktën dy dekada më herët.

Investigimet e FBI-së konstatojnë se Donaldi e kishte vendosur që në fillim të viteve 2000 se do bëhej president. Atëherë ai ishte thjesht një tyxhar, ndërsa Agushi ishte po njësoj si tani, politikan, madje po përgatitej të bëhej kryeministër.

“Dëgjo Agush, o ma bëç këtë nder. O viç kur të bënem president, nami të bënet,” iu lut Donaldi Agushit me një amerikane labërishte. Për ta hequr qafe me delikatesë, ky i fundit i ka thënë, “po mirë mo gjigand, bëhu ti president pa këtu jemi, nuk prishemi”.

Por fiksimi i amerikanit të çuditshëm paskësh pasur përmasa epokale. Sa u bë Agushi kryeministër, në mënyrë misterioze rezervat e arit shqiptar u vodhën dhe s’u panë nga vajtën. Një ditë Donaldi e merr telefon Agushin dhe i thotë në mënyrë provokuese:

“Po sikur unë të të vesh me flori, do vish në ceremoninë time?”

Agushit nuk i tingëlloi mirë kjo fjali. I tha: “Se mos ke gisht ti në floririn tim ore shejtan?”

Donaldi u zgërdhi nga ana tjetër e linjës: “Lëre atë muhabet. Ti s’di gjë, unë s’di gjë. Po të mbetet mes nesh, të kam lënë një dhuratë në Londër. Kur të bëhem unë president, o viç, mo të kemi dhafe!”

***

Të dhënat vërtetojnë se në vite, Donaldi nuk kishte lënë marifet pa bërë për ta bindur Agushin të vinte në ceremoninë presidenciale. Kishte themeluar kompani me dhe pa guackë, me salcë dhe pa salcë, crudo dhe cotto, të zgarës dhe të fërguara, të ziera e të pjekura. Kishte kërkuar 10 përqindsha, 20 dhe 30 përqindsha. Kishte folur me CEZ-in në Pragë për energjinë shqiptare, kishte shkuar vetë në Kongo me kazmë në dorë për të gërmuar miniera të reja për Agushin…

Ky i fundit gjithnjë i thoshte, “të falemnderit prej teje, po s’ishte nevoja të lodheshe me miniera diamanti për mua”. “O viç në Vashingtont kur të bënem i parë?”, e luste Donaldi. “Pa merak, bëhu ti njëherë,” ja kthente Agushi.

Kjo marrëdhënie bizarre i ra në sy edhe të shoqes së Agushit, Municës. Me taktin dhe nurin që  e karakterizon, ajo i tha, “po edhe ti o njeri, ndaja të shkretit, o kështu, o ashtu. U këput burri i botës, ndonjë ditë do na sjelli havale gjithë florinjtë e Amerikës në Lalz, s’kemi as vend ku t’i mbajmë... Se mos harroj, na duhet hidrauliku për banjën e katërt të maces së pestë, diçka rrjedh aty…”. 

***

Ironia e historisë e donte që Donaldi nga Ballshi të ndahej nga Bora, por të bashkohej prapë… Na falni, ky është tekst tjetër…

Ironia e historisë e donte që Donaldi të fitonte vërtet zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Gjëja e parë që bëri, ishte lidhje në skajp me Agushin.

“E thaç dhe e bëra. Pas di javësh të dua këtu. O të vë në krie të sofrës. Biletat i ke të paguara. Ka ngritur një firmë në Qipro për këtë punë. Lidhu me Irakliun. O marrç 700 mijë dollaro për shpenzime rruge dhe navllo, dhe do viç. Okej?”

I lodhur nga kjo vardisje 20 vjeçare, Agush Metaj u dorëzua: “Ehh c’ma zure kokën me derë o Donald Xhej! Po do vij more do vij, se me plase!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Që domethënë, ndonjëherë duhet lexuar mbrapsht… 


Video