KUJDES / Policia sqaron qytetarët: Fluturimi me avion, shumë më i sigurtë se fluturimi me makinë!

16 May 2022, 19:25Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KUJDES / Policia sqaron qytetarët: Fluturimi me avion, shumë më i
Një entuziast fluturimi me makinë në përpjekje për t’u shkëputur nga toka

TIRANË – Duke marrë shkas nga shtimi shqetësues i rasteve të rënda të aksidenteve me makinë, Policia e Shtetit ka bërë publik dje një studim të kohëve të fundit, në një përpjekje për të davaritur keqkuptimet dhe informacionet e dyshimta lidhur me sigurinë e fluturimeve.

“Policia e Shtetit njofton qytetarët, konkretisht drejtuesit e automjeteve, se siguria e fluturimeve është e padiskutueshme, por ajo ka të bëjë vetëm me fluturimet me avion. Studimi që kemi kryer pas vëzhgimeve të shumta, e bën të qartë se fluturimet me makinë nuk janë të sigurta, madje paraqesin një përqindje të lartë rreziku për dëmtime fizike, madje edhe për jetën,” thotë njoftimi i policisë.

“Thënë troç, fluturimi me avion është shumë, po shumë më i sigurtë se fluturimi me makinë,” sqaron Policia, “të dhënat konfirmojnë se gjasat që një qytetar të përfshihet në çfarëdolloj aksidenti fluturimi me aropllan, janë 99.99% më të pakta përkundruall një fluturimi qoftë dhe të shkurtër, me Benzin e babit të cilit i ke marrë çelësin e makinës fshehurazi për të bërë një xhiro me shokët”.

Studimi ka përcaktuar përfundimisht se linjat ndërkombëtare të fluturimeve, avionët çarter, avionët e vegjël privatë, madje edhe aeroplanët sportivë që përdoren për transport porosish deri në një ton e gjysmë dhe shfrytëzojnë pista të improvizuara në livadhet e Vermoshit apo në plazhet e Divjakës dhe Ishmit, janë ku e ku më të sigurta krahasuar me entuziazmin e rrezikshëm që mund të japin disa sekonda në ajër me Renault-in e vëllait, apo me Toyota-n e djalit të xhaxhait.

“Edhe bazuar në rastet konkrete, cdo aksident me avionë të pasigurtë, si në rastet e konstatuara pak vite më parë në bregun e Ishmit apo në pllajat pranë Koplikut, ka përfunduar me uljen traumatike të mjetit dhe me ndonjë prishje rrote, por pasagjerët kanë shpëtuar shëndoshë e mirë,” thotë njoftimi i Policisë, duke shtuar, “madje sipas të dhënave tona, transportuesit e mësipërm e kanë kuptuar gabimin dhe kanë ulur peshën e mallit, duke vijuar më pas të patrazuar me fluturime të suksesshme”.  

Reagimi i policisë vjen në kohën e duhur, duke qenë se shumë shqiptarë, ndërkohë që i kap paranoja dhe frika kur fluturojnë me avion, po të njëjtët nuk e kanë fare problem të provojnë fluturimin me makinë, duke përfunduar në zgëqe, hendeqe, kanale me dhe pa ujë, apo oborre e çati shtëpish private anës rrugës.

“Besojini shkencës, besojuni statistikave dhe jo miteve e bestytnive,” përfundon njoftimi, “kur vjen puna te mjetet e tranportit, përqindja absolute e plagosjeve dhe humbjes së jetës vjen nga fluturimi me makinë. Prandaj, në qoftë se e keni ndarë mendjen të fluturoni, bëjeni me avion, qoftë dhe me presh, por jo me automjet”.  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me këmbë në tokë 


Video