STAMBOLL – Edhe pse kishte marrë porosi të prera që të mos konsumonte asnjë ushqim të ofruar nga pala ruse, negociatori ukrainas Mihajllo Podoljak nuk mund t’ja shqiste sytë një tabakaje me copa keku mbi tavolinën e bisedimeve. Homologu rus Vladimir Medinski e kishte vënë ëmbëlsirën pak minuta më pare në tryezë, duke ftuar miqtë ukrainas:
“Ktë e ka bo plaka ime. I qan omëlsinat. Merrni nga një copë, burra!”
***
Burime për Patronazhistin pohuan më pas se vërtet zoti Podoljak i kuptonte fare mirë rreziqet që mund t’i vinin nga ngrënia ose pirja e ushqimeve dhe lëngjeve ruse gjatë bisedimeve të paqes. Por siç atij i shpëtoi me zë të lartë, “ueee, ca keku, ça arome, po m’bijn të fikët nga lezeti!”.
Fakti është që gjithë delegacioni ukrainas kishte një javë që e shtynte me galeta dhe ujë çezme. Podoljak pohoi se me gjithë paralajmërimet e shërbimeve sekrete, “askush nuk na përgatiti për t’u rezistuar kekëve të tillë, të butë si sfungjer, të mbushura me krem çokollate, një ftesë magjike për stomakët tanë të munduar”.
***
Siç mësohet, pala ruse ishte kujdesur që pranë kekëve të vendoste edhe disa gota të mbushura me qumësht bio, për të cilin negociatori Medinski deklaroi i qeshur: “Sapo e ka mjelë plaka ime. Ajo ka dy lopë në shtëpinë në fshat, quhen Masha dhe Dasha!”
Negociatori Podoljak reagoi ftohtë, por brenda vetes e vendosi që ashtu me indiferencë, të ndukte pak kekun nga anët, sa për të mos u treguar i pasjellshëm.
“Nuk besoj ta kenë helmuar me polonium,” mendoi Podoljak, “se do infektoheshin dhe vetë. Ja, po marr këtë copën e vogël…”
***
Në një kthesë të befasishme të ngjarjeve, pohojnë burimet për Patronazhistin, në dhomën e bisedimeve hyri grupi me ndërmjetësuesit turq, të cilët kishin sjellë me vete një pjatancë të madhe me copa bakllavaje. Ndërsa negociatori ukrainas konsumoi gjysmën e pjatancës, rusi Medinski befasisht deklaroi me zemërim se nuk mund të bisedohej në këto kushte, dhe i braktisi negociatat.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e pahelmatisur