EKSKLUZIVE / DASH bën publik emrin e shqiptarit të vetëm që është grata

14 April 2022, 15:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EKSKLUZIVE / DASH bën publik emrin e shqiptarit të vetëm që
Çoban

UASHINGTON / PËRMET - Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi dje përmes një njoftimi të posaçëm për shtyp, se pas një kontrolli të imtësishëm disamujor ka zbuluar të vetmin shqiptar në moshë madhore, që është grata për Shtetet e Bashkuara. Ai është Selfo Bretku nga Përmeti, 52 vjeç, çoban dhe baxhoxhi me kohë të pjesshme.

Sipas DASH, një ekip i posaçëm ekspertësh ka skanuar gjithë listën e qytetarëve shqiptarë - në mirëbesim, Patronazhisti pranon se listën në fjalë e ka dërguar ai në Uashington - dhe veset e tyre të mëdha e të vogla, që do t’i bënin ata të papranueshëm për Amerikën. Mes kritereve të futura në programin kompjuterik, ishin që individët, femra e meshkuj, të mos ishin marrë me trafik droge, shkelje të drejtash të miletit, prostitucion, aktivitete kriminale, korrupsion, trafik influence, bakshishologji, vjedhje votash, shitje votash, grabitje ordinere, rrahje kundërshtarësh politikë, rrahje aleatësh politikë, blerje pa rradhë në supermarket, kalim i semaforit të kuq me makinë, ndalim para semaforit jeshil me makinë, futja e gishtit në hundë në publik, urinim poshtë urave të mëdha urbane etj.   

Pas një filtrimi të kujdesshëm, DASH arriti në përfundimin se nga gjithë popullata shqiptare, rezidente në Republikën e Shqipërisë, nuk ishte e përshtatshme për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Përveç çobanit shembullor Selfo Bretku.

Departamenti i Shtetit bëri me dije se në vitet 90-të Selfo nuk është marrë me kontrabandë nafte me ish-Jugosllavinë. Në vijim, ai nuk u mor me trafik qeniesh njerëzore e prostitucion drejt Perëndimit, dhe as vodhi zgjedhjet parlamentare të vitit 1996. Raporti saktëson se pavarësisht se Selfo kullot gjënë e gjallë buzë kufirit shtetëror, madje afër piramidave kufitare, ai nuk u angazhua kurrë me firmat piramidale. Personazhi grata u qëndroi larg edhe puçeve dhe sulmeve të armatosura kundër institucioneve në shtator të 1998-ës, shfaqi neveri për pastrimin e parave dhe nuk kërkoi kurrë leje ndërtimi për pallate shumëkatësh me financime të errëta.

Duke theksuar një detaj interesant, DASH pohon se edhe kur disa aktorë estrade e ftuan Selfon të bëhej bashkë-aksioner në investime strategjike në bregdetin e jugut, çobani refuzoi me mirësjellje se nuk kishte kohë, sepse duhej të milte dhitë dhe delet.

Megjithatë, edhe Selfo Bretku, ndonëse ka kullotur bagëtitë me faturë tvsh-je dhe ka deklaruar çdo kile qumësht të shitur, sipas DASH-it ka një moment të errët në karrierën e tij çobaneske. Fjala është për punën e tij të dytë, si baxhoxhi part-time dhe prodhues artizanal bulmetrash.

“Pavarësisht se Selfos i ka rënë bretku duke prodhuar djathë dhe gjalpë të deklaruar, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me hirrën dhe gjizën. Për këto dy nënprodukte, të dhënat tatimore janë fragmentare dhe të paharmonizuara me inflacionin dhe normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Por ne si Departament Shteti dhe vetë Shtëpia e Bardhë, menduam t’i japim dhe njëherë dorën Selfos. Jemi të bindur se difektet e vëna re, janë gabime por jo faje, të cilat ai do t’i riparojë me gjizën e rradhës”, thotë raporti i DASH.    

I pyetur nga i dërguari i Patronazhistit sesi ndihet që DASH e ka shpallur person grata, Selfo Bretku deklaroi: “Kush? Çfarë? Aaa jo, Dashin nuk e shes. Po deshe djathë dhie, pesë mijë lekë kilja e mbaj”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike baritore 


Video