TIRANË – Pas një periudhe vegjetimi që e kishte lënë asetin më të vyer arkeologjik shqiptar në mjerim, qeveria ka vendosur ta japë Butrintin me koncesion për 120 vjet, me synim për të zhvilluar në maksimum financat e atyre që marrin koncesionin, deklaroi dje ministrja e Kulturës Hallva Margarina.
Me profesion arreduese shtëpish, ministrja Margarina e pranoi dje se edhe për shkak të zanatit, prej shumë kohës i pikonte në zemër që Butrinti kishte mbetur në pikë të hallit, me mure të vjetra, kala të vjetra, amfiteatër të vjetër, gjetje arkeologjike të vjetra, pra me pak fjalë, një vjetërsirë e vërtetë.
“Që kur e kam parë Butrintin për herë të parë, kam menduar se si nuk u gjet një arredues i hajrit, që të kombinonte dhe plotësonte mjediset e këtij vendi të bekuar me restorante, hotele, plazhe, mure të suvatuara, perde të reja, shezlongje që të shkojnë me perdet etj etj,” deklaroi Margarina.
Por më në fund, tha ajo, erdhi koha që kjo vjetërsirë e braktisur nga regjimi i kaluar, të dalë në dritë.
Kështu, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Rrëmbimit do të marrë në dorëzim sipërfaqen e parkut të Butrintit dhe mjediset rrethuese, që përfshijnë 20 hektarë në plazhin e Borshit dhe 15 hektarë pranë Ksamilit. Gjithashtu Fondi përfiton edhe nja 2 milionë euro që rastisën ndërkaq në arkën e Parkut në fjalë.
Për ministren Margarina, kjo është një procedurë normale.
“Nuk ka ndonjë gjë të keqe,” tha Margarina, “ja unë për shembull bleva një shtëpi vitin e kaluar, dhe rastisi që shtëpia brenda kishte dhe një kasafortë me 300 mijë euro. Normal që edhe paratë u bënë të miat”.
Marrëveshja me Fondin Zhvillues parashikon që ky i fundit ta pasurojë Parkun Arkeologjik të Butrintit me disco, lokale strip-tease, sera të licensuara hashashi, etj. Nga ana tjetër, është rënë dakord që çfarëdo gërmimesh dhe gjetjesh arkeologjike të bëjë Fondi, ai mund t’i nxjerrë zhelet dhe vjetërsirat që do gjejë jashtë shtetit, pa i marrë leje Ministrisë apo Ministres Hallva Margarina. Më saktë, shteti nuk ka të drejtë as të jetë i pranishëm në gërmime dhe në gjetje.
“Dihet botërisht se vetëm privati i jep frymëmarrje aseteve me vlerë, përfshi këtu dhe objektet kulturore strategjike. Shteti është kot. Le që këtu s’ka shtet, s’ka ligje, ky është vend idiot,” deklaroi Hallva Margarina, duke harruar për një çast që nuk ishte në opozitë, por në pushtet.
E pyetur sesi ka mundësi që e quan Butrintin një vjetërsirë, kur vlera e një aseti arkeologjik qëndron pikërisht tek vjetërsia e tij, Margarina reagoi me zhdërvjelltësinë që e karakterizon:
“Epo mirë. Meqë thoni se Butrinti është i vjetër, unë ju premtoj se do ta bëjmë edhe më të vjetër nga ç’ishte!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Ministrja e Kulturës po ashtu