EKSKLUZIVE / Këshilli Kombëtar i PD dënon Bajdenin, Blinkenin dhe Bleonën si anti-amerikanë

30 April 2022, 17:48Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EKSKLUZIVE / Këshilli Kombëtar i PD dënon Bajdenin, Blinkenin dhe
Salih Behrisha duke i mesuar Bleones sesi duhet lypur

TIRANË – Me vota unanime, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i thirrur nga Çlirim Pekollari i shpalli të shtunën shtetasit amerikanë Xho Bajden, Andon Blinken dhe Bleona Sherbeti, si anti-amerikanë me damkë.

Patronazhisti mëson se vendimi emocionues u mor pas debatesh të vështira e të zjarrta, që nxorën në pah të gjitha sjelljet anti-amerikane të shtetasve të sipërpërmendur.

Qëndrimet e pjesëmarrësve u lëkundën mes dëshirës së disave për t’u dhënë edhe një herë dorën harramëve në fjalë, dhe thirrjes së disa të tjerëve për t’i dërguar këta gjynafqarë në koshin e plehrave të historisë.

Ai që propozoi një masë më të butë për Bajdenin, Blinkenin dhe Bleonën, për shembull, një vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, ishte demokrati i zakonshëm Salih Behrisha. Duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje, Behrisha sugjeroi që Bajdeni dhe Blinkeni thjesht të kritikoheshin në shtypin e partisë.

“Një mënyrë që ata të ndreqen, do të ishte t’u bënim atyre 25 pyetje në një gazetë të besuar, ose në një website prestigjioz si Syçka. Hapi i dytë do të ishte t’i përjashtonim përkohësisht nga PD, dhe t’i linim të drejtonin ndonjë sindikatë ose klub futbolli. Hapi i tretë, t’i ripranojmë në parti dhe një ditë të bukur, t’u themi se disa persona të armatosur janë parë pranë selisë së partisë, ndaj të dalin pak dhe t’i pyesin se çfarë duan,” tha Berisha mes duartrokitjeve të stuhishme, duke shtuar me buzëqeshjen klasike të pafajshme, “të tjerat i dini vetë ju….”.          

Lidhur me shtetasen Bleona Sherbeti, Salihu ishte i mendimit që kjo amerikane problematike të riedukohej dhe të mësonte sesi duhej lypur.

“Sepse unë ju siguroj jue, se ajo nuk di si me ta lyp mor zotëri”, theksoi ai. Dhe për ta ilustruar sesi lypej, Behrisha u ul përtokë dhe filloi të zvarritej.

“Ja kështu bëhet”, tregoi ai.

Megjithatë përballë këtij qëndrimi të butë, reaguan shumica e demokratëve që kanë shkruar historinë e konservatorizmit shqiptar, si Flamur Gagaçi, Jozefina Guguftuja, Belind Balluku-Këlliçi, Gone Kollsenteri, etj. Ata kërkuan që Bajden, Blinken dhe Bleona të shpalleshin anti-amerikanë me damkë dhe të dërgoheshin për riedukim në Savër të Lushnjës, pastaj të akomodoheshin në kalanë e Kaninës, nën kujdestarinë e vëmendshme të demokrates freelance Evi Karadumani-Angjellaqi-Papadhaqi-Kokalaqi.

Në vijim, Këshilli Kombëtar e përshëndetën majat e konservatorizmit botëror nga çdo cep i botës. Letra urimi erdhën nga italiania Jorgjie Meloni-Musolini, konservatori i njohur gjerman Rudolf Hilteri, eksponenti mongol i qendrës së djathtë Aristidh Xhengiz Khan dhe sidomos, nga guruja i të djathtës moderne ruse, Vladimir Putan.   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e qendrës së prapme, sa ecën pak, te kryqëzimi kthehesh djathtas


Video