TIRANË - Një lajm i bujshëm - që ka eklipsuar edhe daljen e një lumi rrospi e të shthurrur si Lana nga shtrati ku i takon të rrijë - ishte thirrja publike ditën e djeshme, nga ana e Qet Transparentit drejtuar shoqërisë civile dhe mbarë popullit shqiptar.
Shumëkush u gënjye kur çmimi i naftës preku për mënge nivelin e 260 lekëve për litër, duke menduar se kjo ishte lëvizje okulte e Qet Transparentit. Siç dihet botërisht, si tregtari më i madh i karburanteve në vend dikur, Qeti hoqi dorë nga pasuria dhe plaçka dhe vendosi të bëhet pjesë e Bordit të Transparencës që kontrollon çmimet e naftës, benzinës dhe gazit, menjëherë pasi nisi sulmi rus kundër Ukrainës, që shkaktoi krizë globale.
Faktikisht, rezultoi që Qeti nuk kishte fare gisht në rritjen e fundit të çmimit. Përkundrazi, përmes një deklarate publike, ai i bëri thirrje shoqërisë civile të mblidhet për një protestë masive para zyrave të qeverisë, zyrave të Bordit të Transparencës, dhe selisë qendrore të vetë kompanisë Karpaço Oil.
“Ky Bord nuk funksionon dhe qeveria është e paaftë,” deklaroi Qeti në rrjetet sociale, “kush i thotë vetes shqiptar, të çohet e të vijë në shesh, ndryshe këtë vend e rrëmbyen oligarkët!”
***
Në një shpjegim të hollësishëm për publikun, Qet Transparenti pranoi se kohët e fundit, transparenca e çmimit të naftës sa vinte e bëhej më e turbullt.
“Taktika jonë ishte pak a shumë si vallja pogonishte: Ta rrisnim me dhjetë, ta ulnim me pesë; ta rrisnim me tetë, ta ulnim me gjashtë. Kështu edhe tregu mbahej në ekuilibër, edhe çmimi mbetej nën kontroll. Por ju betohem që Bordi as nuk ishte mbledhur, bile as kishim këmbyer mesazhe. Zyrat tona ishin mbyllur, madje dhe rojet po hanin byrek. Kur faaap, çmimi i naftës shkoi 258. Shof titrat e ekraneve, ishte e vërtetë. Bredh nëpër Tiranë tek pikat e karburanteve, nafta kacafiu. Nuk po u besoja syve. Dhashë një urdhër transparent që të mblidhet urgjent bordi. U mblodhëm, morëm vendim që nafta të bëhej me 230 lekë litri. Kur ç’të shohim? Nafta mbeti tek 258-ta. Bëra një provë: E çova tek 210-ta. Kur do ti, kërceu tek 259-ta!”
Në vijim, Qeti shpjegoi se gjasat janë që në epokën e inteligjencës artificiale, çmimi i naftës me kalimin e kohës të ketë krijuar një ndërgjegje të vetën dhe të fillojë të marrë vendime autonome.
“Kam pasur disa dyshime, në fakt. Së fundi kam vënë re që çmimi i naftës dhe ai i benzinës vepronin në unison. Por duke parë se çmimi i gazit shpeshherë sillej në të kundërt, jam qetësuar. Por paskam qenë naiv. Ata të tre kishin thurrur planin që në fillim. Shkurt hesapi, unë nuk e kontrolloj dot më, vëllezër. Çmimi i naftës bën çfarë i do qejfi, ne të tjerët jemi kot, kot fare….”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike konkurrente me Bordin e Transparencës