TIRANË / MYNIH / UASHINGTON – Rasti i mëposhtëm është një tjetër nga ato episode shqiptare që të lënë një shije të ëmbël, por edhe të hidhur, për shkak se vërteton që kjo tokë vazhdon të nxjerrë gjeni në çdo fushë, por nga ana tjetër, ata shpesh detyrohen të lënë atdheun dhe të kontribuojnë për të tjerët.
Fjala është për gjeniun e inxhinierisë shqiptare Madhi Kryedrini, emri i të cilit bëri së fundi xhiron e kronikave gjyqësore të botës së zhvilluar, pa dëshirën e tij.
Agjencitë kryesore të shtypit nëpër botë pasqyruan lajmin se NASA, Agjencia Hapësinore Amerikane, paditi kompaninë e njohur gjermane të makinave Porsche. Arsyeja është se gjermanët, sipas NASA-s, mban të lidhur me një kontratë të padrejtë inxhinierin Kryedrini, duke shfrytëzuar kurthe juridike që gjeniu shqiptar nuk i ka kuptuar në kohën e firmosjes, pasi truri i punon vetëm për kandele, pistona, dinamo etj.
“Për një pagë mizerje prej 3 milionë euro në muaj, talenti shqiptar detyrohet të punojë si kafshë nga 2 orë në ditë, nga e hëna deri të mërkurën,” thotë padia e NASA-s, “ndërkohë që ne angazhohemi për një volum pune gjysmë orë në javë, me pagesë 10 milionë dollarë në muaj. Dhe kjo vetëm si fillim”.
***
Emri i Madhi Kryedrinit u bë i njohur për herë të parë në shkollë të mesme, kur ai shpiku formën vezake, që u bë pararoja dhe hapi i parë që shpuri në formën e plotë rrumbullake, çka solli pashmangërisht shpikjen e rrotës. Madje bashkëkohësit mbajnë mend se pikërisht për këtë arsye, Madhi Kryedrinit i mbeti edhe nofka përkëdhelore, “Rrotë”.
Në vijim, pas fillimit të proceseve demokratike në Shqipëri, Kryedrinit një moment të caktuar i thanë se kishte mbaruar Universitetin Politeknik të Tiranës dhe ishte diplomuar inxhinier mekanik. Megjithëse i shokuar, ai nuk e humbi toruan. Përkundrazi, në shenjë proteste ndaj këtyre padrejtësive, vendosi të merrte rroga të mira në vende pune që nuk i njihte fare, dhe ku nuk kishte qenë asnjëherë. Por për çudi sistemi nuk reagonte. Madhi Kryedrini filloi të acarohej që protesta e tij e heshtur inxhinierike nuk ja kishte ngacmuar fare nervat kësaj shoqërie të poshtër.
Por një ditë, ndërsa vizatonte rrumbullaqe në një fletë të bardhë, erdhi ta vizitojë e motra, aktivistja e njohur anti-sistem, Madhe Kryemona.
“Dëgjo motrën, se ktyre u duhet bërë motra. Nuk ecet me rroga mesatare. Do të të gjejë motra një punë ku do marrësh dyfishin e drejtorit të madh, por ka një sakrificë: Do shkosh një herë në javë, sa të pish një kafe e cigare dhe të të thërrasë roja nga larg: Inxhinier Madhi, ju kërkojnë në kryeministri…. Dhe ti do t’i përgjigjesh rëndë: Mirë mirë, thuaji kryeministrit të presë! E bën dot?”
Madhi Kryedrini e pranoi sakrificën. Dhe iu fut punës vendçe. Kishte raste kur pas kafes së parë, pinte dhe të dytën në vendin e punës. Të gjithë i referoheshin atij. Pyesni inxhinierin, ta vendosë inxhinieri, jepja inxhinierit për firmë…
***
Madhi Kryedrini mori një lutje urgjente nga Porsche, kur në Gjermani filloi të ndihej një mungesë e madhe për inxhinierë të kualifikuar. Ai shkoi në Gjermani vetëm një herë, i maskuar mes një tufe infermieresh, për të firmosur marrëveshjen. Në kontratën e punës, u vendos që Madhi të punonte në distancë nga Tirana, duke i dërguar qendrës së kompanisë në Shtutgart rrumbullaqe dhe forma vezake tre herë në javë. Por pikërisht format eliptike, kaq të ngjashme me orbitat e planeteve, tërhoqën vëmendjen e NASA-s. Pjesa tjetër është histori….
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Rrogat e inxhinier Rrotës, jo dhe aq...