EKSKLUZIVE / I.M, S.B dhe historia e lugës së çorbës së prishur

30 July 2022, 15:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EKSKLUZIVE / I.M, S.B dhe historia e lugës së çorbës
Imëja ne momente kur ndihet i uritur

TIRANË - Askush nuk e vuri re atë ditë të largët të vitit 1989, lajmin e shkurtër të botuar nga gazeta ‘Jehona e Skraparit’, sipas të cilit studenti i dalluar me origjinë nga ky rreth, I.M, sapo kishte gëlltitur një lugë çorbë të prishur. Kishte muaj që studentët ankoheshin se energjia ikte orë e çast, çorbat dhe preshët e mensës së Qytetit Studentit ishin të prishura, dhe lajmi që një jo-konviktor por tirons i vjetër si I.M., kishte provuar njëherë se ç’domethënë ushqim i helmatisur, nuk i bëri përshtypje askujt.

Me përjashtim të njërit. Në Tiranë, sekretari i organizatës bazë të partisë së spitalit, kardiologu S.B., në pauzat e pushimit, kur lodhej së preri personalisht me gërshërë pantallonat kauboj të studentëve, kishte nisur të tregonte interes të veçantë për stomaqet e helmatisura dhe çorbat e thartuara. Ai e mbajti në arkivën e vet – që më vonë do të bëhej legjendare – lajmin e vogël topolak skraparlli. 

***

Rrodhën muajt. Me stomakun tashmë të imunizuar nga çorba, Imëja u rekomandua nga çorbaxhinjtë të futej mes delegacionit të studentëve që do takonin shokun Ramiz. I kërkuan Ramizit kushte më të mira jetese, ai u thoshte, “se mos doni dhe pluralizëm politik?” Jo dhe jo, thoshin delegatët, duam drita dhe ujë.

“Ore shikojeni mirë këtë punë, se mbase doni dhe parti të tjera politike, demokraci, ekonomi tregu e më the të thashë,” insistonte Ramizi i shkretë.

Në fund studentët rebelë pranuan me gjysmë zëri, dhe S.B-ja doli para mijëra të rinjve dhe u tha se komandanti legjendar i luftës antifashiste, shoku Ramiz (që në kohë të luftës ishte 18 vjeç), kishte lejuar pluralizmin politik. Por Imëja deklaroi prerë: Edhe po u krijuan parti të tjera, unë nuk e ndërroj timen!

***

Kardiologu kishte lënë stetoskopët e bisturitë dhe kishte rrëmbyer hanxharët. Shokun Ramiz e kishte rrasur në burg pasi gjyqi zbuloi që ai e pinte kafen me shumë sheqer dhe kishte dëmtuar buxhetin e shtetit. Ndërsa partinë e vet e mbushi me çorbangrënës që u kërkonin vota ish-të burgosurve politikë që po ata i kishin burgosur vite më parë.

Po Imënë nuk e qasi. Ti do rrish matanë, i tha, dhe do merremi vesh me shenja. Mos të kemi llafe, se lugën tënde të çorbës së prishur e kam në arkivë.

“Nuk më trëmb dot doktoooor, ja ktheu Imëja që po mbushej e rrumbullakosej, se tani më është bërë stomaku gur, bluaj edhe krokodila. Po hajt të bëjmë ndonjë lek, se na griu uria, shih si jam katandisur, kockë e lëkurë. Dhe qeshi me të madhe, duke çuar kokën lart dhe hapur gojën si krokodil.”

***

Bashkëjetesa në distancë nuk shkoi keq. Me të përpjeta e tatëpjeta, herë me halle e herë me gëzime, herë me miliardë të vjedhura dhe herë me mijëra të vrarë, herë me florinj e herë me piramida, por në përgjithësi mirë. Imëja kishte gjetur dhe një të vluar, shoqe ideali, me të cilën u martuan dhe bënë fëmijë. Vetëm shumë vite më pas do ta bindte të hiqte mustaqet dhe barsetat, po bereqavers edhe kështu.

S.B-ja djathtas, ky majtas. Njëri mbronte luftën antifashiste dhe puthej në buzë me veteranët, tjetri ndërronte datën e çlirimit dhe dekoronte diversantët. Po kënaqeshin të dy. Bile njëditëzaj Imëja, tashmë kryeministër, vendosi ta trashte lojën dhe të shtirej sikur do ta burgoste S.B-në. I dërgoi policinë, e kapën dhe e lanë ca orë brenda në qeli.

S.B-ja s’kishte moshë për këto cic-mice. I çoi llaf: Mja tashi se më hahet bukë, më nxirr urgjentisht. Më ka bërë gruaja në shtëpi një ÇORBË, të lëpish gishtat! 

Imëja u gëlltit dhe e kuptoi mesazhin. E kishte tepruar zullumin.

***

Ish-kardiologu u mërzit në opozitë. Unë qenkam më palla këtu, tha me vete, m’u rritën kalamajtë dhe s’kanë ku të fusin kokën, ndërsa dynjaja u shqepën në lekë. I dha urdhër Imësë të merrte masa për ta prishur partinë e vet, që të fitonte ai. Dhe kështu u bë.

Për katër vite me S.B si kryeministër, u shtirën si kundërshtarë, çfarë s’i thanë njëri-tjetrit. Por katërvjeçarin e dytë nuk e mbajtën dot të fshehtë pasionin. Bënë qeveri bashkë dhe i drejtoheshin njëri-tjetrit me “o madhështor”, dhe “partneri luajal i integrimit I.M”. 

Por bashkëpunimi ngeci. Për një çështje banale parash të Imësë, u bë një protestë e madhe dhe S.B-ja nuk e mbajti veten por dha urdhër të vriten katër vetë. Imëja u trondit.

 “Aaa doktor,” i tha, “për të vrarë kemi vrarë edhe ne, por jo kështu haptaz, me urdhër nga televizori. E di që e bëre për mua, por e mira është të shkoj për ca kohë me atë tjetrin, sa të qetësohen amerikanët. Po të më dëgjosh mua, ti bëj sikur do tërhiqesh nga politika. Që fatet e vendit t’i marrim në dorë ne, brezi i ri,” dhe qeshi me të madhe duke i shkelur syrin.

***

Ishte gabim. Gabim i madh. Imëja e kuptoi me vonesë se vendi nuk duhej lënë kurrë bosh, se në sekondë ta zënë, njësoj si në autobus. I Gjati po e ngushtonte gjithnjë e më shumë. U detyrua të bënte dietë drastike dhe të binte 20 kilë në peshë, me shpresë se mos ndihej më rehat. I tha dhe të shoqes të hiqte mustaqet dhe të ndante vetullat. Por I Gjati e degdisi në presidencë dhe Imëja ja la partinë gruas. E quajti Shtëpia e Monës.

Amerika ndërkohë nxorri ferman dhe e shpalli S.B-në Kara, Të Zi, si sulltani vaktit. E quajtën Karasali. Imëja u betua që do merrte hak. Mezi priti të mbaronte internimin e presidencës, dhe vendosi t’ja ndërronte emrin partisë.

I tha doktorit, “Do ta quaj Shtëpia e Ilirit… Bile e di ç’ke ti? Në vend të emrit të gruas sime, do t’i vëmë emrin e gruas tënde, se të jam borxhli. Do ta quaj Shtëpia e Lirisë”.

Por Imëja as nuk arriti të mbaronte së vendosuri perdet e shtëpisë së re. Lajmi i ra si bombë. Lugën e çorbës së prishur që kishte ngrënë aherzaj, e paskëshin ditur dhe të tjerë dhe u mbushën gazetat e televizionet. S.B-ja i bëri be e rrufe se nuk e kishte nxjerrë ai. “Si të të shes unë ty, që e vure partinë tënde në hipotekë me emrin e gruas sime?” i tha ai.

***

Burime për Patronazhistin thonë se shqiptarët ende janë duke e tretur këtë histori. Mbase konkluzionet duan pak kohë që të dalin. Por shumë syresh janë të bindur se batuta e njohur e kinematografisë “Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur, dhe pastaj e vjell tërë jetën”, në këtë rast duhet modifikuar pak. Në rastin e Imësë, ajo bëhet:

“Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur, dhe pastaj VJEDH tërë jetën”…. 

   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa dosje. Jo se nuk donte, por se nuk kishte mbushur moshën për spiun 

 


Video