TIRANË – Biznesmenit 55-vjeçar Lame Gjytyrymi nuk do t’i shkonte kurrë në mendje se pas një jete të tërë me punë, krijimit të kushteve aspak modeste të jetesës dhe arsimimit për të shoqen dhe tre fëmijët, ndihmesës brenda mundësive për farefisin dhe miqtë, do të vinte një moment që ai do tallej dhe injorohej në këtë mënyrë.
Zoti Gjytyrymi pohon për Patronazhistin se sjellja e njerëzve më të dashur filloi si ftohje, pastaj kaloi në ironizim e tallje tinëzare, derisa u transformua në bullizim të hapur.
“Fjalën bullizim e kam mësuar tani vonë, se kam qenë shumë i zënë. Kam filluar të punoj që në vitin 1993, së pari me tregti të vogël. Dora-dorës hapa një dyqan, kioskë. Por jo pa leje. Bleva vendin ku do vendosja kioskën, nxora lejet e nevojshme dhe paguaja taksat. Paratë nuk i futa në piramida por vazhdova punën. Tani kam tre dyqane, kam ndërtuar dhe një hotel në bregdet. Kam punësuar gjithsej 35 vetë,” rrëfen me lot në sy afaristi mediokër.
Ai pohon se vitin e kaluar, gjatë verës, fëmijët që studiojnë jashtë shtetit po i rrinin ftohtë. Kjo sidomos pasi djali i madh që studion në Vjenë e pyeti si rastësisht, “Mor bab, se s’ka rënë llafi. Kam dasht me t’pyt, a ke hap ndonjë kompani guackë? Kam mendu një skemë shumë interesante…”.
Lamja i shkretë iu përgjigj se të vetmet guacka që kishte, ishin ato që ja mblidhte në bregdet kur ishte i vogël.
“Po t’u deshën, merri,” i tha të birit, “Po s’kanë ndonjë vlerë kushedi”.
Djali bëri një ngërdheshje ironike, ja rrëfeu bisedën të vëllait dhe motrës, njëri student në Paris dhe tjetra në Milano, dhe të tre u gajasën së qeshuri.
“Demode komplet. As që ja ka idenë. My God, nuk mbush fare,” thoshte i madhi.
Gjytyrymit nuk i erdhi mirë, por i dha karar se arroganca e të riut kalon shpejt, sa të fillojë të nxjerrë rrogën vetë. Mirëpo kjo ishte vetëm fillimi.
“Një ditë prej ditësh, ime shoqe më merr mënjanë dhe më thotë: Hap një firmë offshore more derëzi, se dynjaja u shqep në lekë. Burri i Lindës vret mendjen ku t’i fshehë milionat, ti mezi u paguan shkollën kalamajve, o vulëhumbur!”
***
Për Lame Gjytyrymin, fjalët si kompani guackë dhe offshore u bënë pjesë e përditshme e fjalorit edhe mes kolegëve biznesmenë. Nëpër tavolina pune dëgjonte vetëm “Delauer, Ishujt Kajman, Ishujt Virxhin, Singapor, Qipro, Lihtejshtajn… Fola me Ahmet Arbenajn… I transferova se më tha Zamiri… Çeti më garantoi se Panamaja ka përqindje më të mira”.
Edhe njëherë që tentoi të hynte në bisedë, ai filloi të flasë për bukurinë e ishujve e Ksamilit, vetëm për të shkaktuar gazin e shfrenuar të miqve.
Miqësive të prishura ja vuri kapakun një ndërhyrje e patakt e Lames, kur u kujtoi nja dy shokëve sipërmarrës se javës tjetër ishte data e pagesës së siguracioneve për punonjësit.
“U vrenjtën, sikur t’i kisha sharë nënat,” kujton Lame Gjytyrymi, “dhe më thanë, ik o Lame na lër rehat. Kungull mbete mor i shkretë!”
I trishtuar dhe i mërzitur, biznesmeni i mbetur prapa dynjasë, ka kohë që dëgjon rromuzet e bijve, “hë bab, ke mledh guacka të tjera apo akoma?”, kunjat e të shoqes, “ti një kompani guackë që është bosh nga brenda dhe nuk e bën dot, çudi si ke ngritur dyqanet që i ke plot”, apo talljet e miqve, “hë Lame, ç’thotë Ksamili?”
Ja, e mbyll rrëfimin Lame Gjytyrymi, “kështu e mësova se çfarë domethënë të të bullizojnë. Thashë njëherë të ankohem në polici për dhunë verbale në familje. Pastaj mendova të bëj kallëzim në Dhomën e Tregtisë, por më vjen turp se do marrin vesh që unë paguaj siguracionet dhe taksat një për një, dhe do bëhem gazi i botës”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike onshore