TIRANË / GOLEM / SURREL – Siç mund të merret me mend, prishja e pishinave të Fanes ka eklipsuar këtë javë lajmet nga lufta në Ukrainë, kriza energjetike nëpër botë, mungesa e grurit në Afrikë, apo edhe nga përplasja e madhe mes Bajdenit dhe Trampit në Amerikë.
Kanalet dhe portalet u mbushën me raportime turistësh të zhgënjyer që betoheshin se nuk do vinin më këmbë në Shqipëri sipas parimit “No Fane, no Fun”; me pamje filmike të vjetra të Edit tu hongër bukë te hoteli i Fanes apo të Berishës tu shajt Fanen. Ndërkohë që për 10 vjet rresht nuk kishte pasur asnjë shkrim apo ankesë për një mal betoni që kishte ndërprerë gjithë vijën ranore të plazhit, për të ndërtuar dy pishina, dy metra larg ujit të detit.
Por Patronazhisti mëson se këto janë vetëm ana e ndriçuar e Hënës. Në anën e errët fshihen ditë e javë të tëra negociatash informale, që nisën që kur Fania mësoi se pishinat e hotelit nuk kishin shpëtim.
***
Në aspektin e reflekseve njerëzore, Fania nuk ka faj. Ai kishte kaq shumë vite pa paguar taksa, tatime, qira, gjoba të prapambetura etj, saqë i kishte humbur tërësisht refleksi i pagesës. Ose më saktë, paguante në natyrë, me dreka e darka, dhoma për fjetje, masazhe e hidromasazhe. Ndaj kur i erdhi lajmi se pishinat e hotelit do të shpoheshin dhe uji do çohej aty ku e kishte vendin, në det, kërkoi të komunikonte direkt me Edin.
“Zoti kryeministër, jam themeluesi i grupit më të madh mediatik në vend,” i tha, “kam një problem shumë të madh”.
“Si është puna?”, e pyeti Edi, “po ju pengojnë apo ngacmojnë gazetarët? Nuk ju lënë të raportoni nga vendngjarja? Policia është sjellë ashpër me reporterët? Apo institucionet e shtetit nuk ju japin informacion?”
Fania heshti për një moment. “Jo, jo,” tha, “po më godasin fabrikat e birrës, ndërtimet, bile po më prishin pishinat e hotelit në Golem. E mbani mend, aty ku hëngrëm parvjet?”
“Unë nuk ha çdo dy vjet o Fane, unë ha përditë,” ja ktheu Edi, “ndoshta dhe kam qenë, por me siguri do më ketë sjellë Taulanti se ai është shumë i shëtitur. Po nejse. Birrat, po i ke pa taksa duhet t’i paguash. Pishinat, po i ke pa leje duhet t’i prishësh. Për ndërtimet tani për tani s’të them dot gjë, se ato patjetër i ke me leje, apo jo?”
***
Ky komunikim i parë i la shije shumë të hidhur Fanes. Pasi e mblodhi veten dhe u këshillua me disa njerëz të besuar, u lidh prapë me Edin.
“Shiko zoti kryeministër, e mendova këtë punë. Jam gati të bëj një sakrificë. Si thua sikur të vësh ca njerëz të SHIK-ut të më rrahin ndonjë natë poshtë pallatit? Ti e ke provuar vetë, nuk është gjë e vogël. Vetëm tatimet e birrës mos m’i merr!”
“Nuk bëhet. Nuk kam njerëz,” u përgjigj Edi, “ata që rrihnin janë plakur, ndërsa tani Shërbimi ka vetëm ca kaçaflaqër që rrinë gjithë ditën në fejsbuk. S’të ndihmoj dot”.
Fania nuk u dorëzua:
“Po mirë. Si thua sikur t’i vë flakën redaksisë së gazetës? S’ka gjë, se zjarrin e shuaj me dy bote birre që i kam aty afër. Vetëm pishinat mos m’i prish!”
Edi: “Jo more. T’i lësh gazetarët pa punë dhe t’i marrësh kamariera në hotel. Nuk bëhet!”
Fania: “Po unë dhe tani si kamarierë i kam. Ç’ke ti, nuk e humbasin zanatin ata, se do t’i vë të bëjnë Gazetën e Plazhit pas turnit!”
***
Nuk dihet pse Edi nuk i pëlqyen propozimet joshëse të Fanes. Por pishinat u prishën. Patronazhisti mëson se gazetarët janë më të gëzuarit nga kjo histori. Jo se shpëtuan redaksitë dhe studiot televizive nga djegia, por sepse për nja dy muaj i kanë lajmet e garantuara, pa u lodhur shumë. Do bëjnë reportazhe me turistë të trishtuar.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa pishina