“Mos heshtni, Brikeni po lufton me jetën”, Apeli i bashkëshortes së 34-vjeçarit të plagosur në protestë!

29 Nëntor 2026, 11:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Mos heshtni, Brikeni po lufton me jetën”, Apeli i
Briken Tuci

Marjonela Krosi, bashkëshortja e 34-vjeçarit Briken Tuci, i cili u godit dje me ujë nga autoboti gjatë protestës, ka bërë një apel të fortë drejtuar opinionit publik shqiptar, duke bërë me dije se gjendja shëndetësore e bashkëshortit të saj është kritike.

Përmes një mesazhi prekës, ajo tregon se ndodhet në Spitalin e Traumës, ku mjekët e kanë informuar për rezultatet e skanerit të kryer mëngjesin e sotëm.

Sipas saj, neurokirurgu i ka komunikuar se Brikeni ndodhet në rrezik për jetën, pasi në tru janë konstatuar disa vatra hemorragjie, të cilat aktualisht nuk mund të operohen.

Në këto momente të vështira, Marjonela i drejtohet të gjithë shqiptarëve, duke kërkuar solidaritet, mbështetje dhe mbi të gjitha drejtësi për bashkëshortin e saj.

“Ky djalë dhe unë jemi shkolluar në këtë vend, kemi punuar në këtë vend dhe jemi munduar ta ndërtojmë gjithçka me djersën tonë, pa i bërë keq askujt. Nëse ka sadopak drejtësi dhe humanizëm në këtë vend, sot kam nevojë për të gjithë ju. Kam nevojë për zërin tuaj, për mbështetjen tuaj, që të mos humbasim një djalë, një vëlla dhe një bashkëshort. Ju përgjërohem të gjithëve, mos heshtni! Më ndihmoni të luftoj për të. Brikeni po lufton me jetën dhe unë ndihem e vetme përballë kësaj situate. Kërkoj vetëm drejtësi, asgjë më shumë. Ju lutem, mos më lini vetëm në këtë luftë. Mos e lini Brikenin vetëm!”, është apeli i Marjonela Krosit.

Thirrja e saj vjen në një moment dramatik për familjen Tuci, ndërsa 34-vjeçari vijon të luftojë për jetën në Spitalin e Traumës.

Familjarët kërkojnë solidaritet dhe drejtësi, ndërsa shpresojnë për një përmirësim të gjendjes së tij.


Vox Pop

Video