Dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë veriun e vendit, duke sjellë vështirësi në disa zona malore.
Në Kukës, Bulqizë dhe Dibër, reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica në rrugë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në liqenin e Kukësit janë rritur ndjeshëm prurjet.
Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë gjithë natës nga reshje dëbore, të shoqëruara me erëra të forta dhe temperatura të ulëta.
Në qafat malore, mbi 800 metra lartësi, trashësia e dëborës ka kaluar 20 centimetra, ndërsa ngricat kanë vështirësuar qarkullimin në disa fshatra të njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod dhe Topojan.
Ndërkohë, reshjet kanë sjellë rritje të prurjeve në liqenin e Kukësit, të cilat gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar 450 metra kub në sekondë.
Në Bulqizë, reshjet e dëborës kanë zbardhur qytetin dhe zonat përreth, ndërsa temperaturat kanë zbritur deri në minus 6 gradë Celsius. Ngrica janë evidentuar në akset Bulqizë–Peshkopi, Ura e Çerenecit–Librazhd dhe Qafë e Buallit–Krastë, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Edhe në Dibër, reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë natës, me trashësi që në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 15 centimetra, ndërsa në zonat e thella malore ka kaluar 25 centimetra.
Temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica në rrugë, por deri më tani qarkullimi paraqitet i qetë.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë në zonat malore, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.