Regjisorja e njohur Vjosa Berisha ndërroi jetë këtë të enjte në një spital të Londrës, pasi po përballej prej kohësh me kancerin.
Ajo la pas një dhimbje të madhe te familjarët, kolegët dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të. Të shumtë kanë qenë dhe personazhet e njohur të cilët kanë reaguar të pikëlluar për ndarjen nga jeta të regjisores me dedikimie prekëse.
Disa prej personazheve që kanë reaguar të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Vjosa Berishës janë: Erion Veliaj, Arbana Osmani, Olta Gixhari, Vesa Luma, Jonida Vokshi, Ylli Limani, Liberta Spahiu, Mira Kazhani, Dafina Zeqiri, Adriana Matoshi, etj.
Disa prej reagimeve:
"Linde si dielli dhe mbete lart në qiell për të mos perënduar asnjëherë! Do na mungosh shumë! Lamtumirë Vjosa jonë e dashur!" shkruan Erion Veliaj.
"Do të mbetesh ikonë e pazëvendësueshme e jona. Ngushëllime, familjes, miqve, komunitetit artistik, Prishtinës, Kosovës, Shqipërisë, e të gjithë atyre që si unë patën fatin ta njohin nga afër shpirtin tënd pozitiv e luftarak. Drit pastë shpirti yt. Na ke mërzit fort!" shkruan Vesa Luma.
"Sa na pikëllove o Vjosa, sa shumë do na mungosh, ah sa shumë" shkruan Arbana Osmani.
"Sa shumë do ndihet mungesa jote" shkruan Olta Gixhari.
"O Zot çfarë lajmi i trishtë. U prehsh në paqe o zemër e bardhë. Energjia jote do të mbetet gjithmonë në mesin tonë" shkruan Liberta Spahiu.
“E dashur Vjosa, lajmi për ikjen tënde më erdhi si shkulm që m’i ndërpreu të gjitha aktivitetet e ditës, madje edhe një debat parimor në WhatsApp, nga ato gjepurinat e njerëzve të gjallë. Unë të takova mu në mes të betejës me sëmundjen dhe lotët që mbajta ditën kur ti flisje me forcë për kancerin që të kish pushtuar trupin, po i derdh sot për ty. Të shkrova me ndrojë në Instagram nëse do të ishe e gatshme që të flisje publikisht për mënyrën fantastike me të cilën po e trajtoje kancerin, që nga veshjet dhe injorimi i parukes. Dieta vegane, palestra dhe vijimi i punës pa ndërprerje. Me laptopin tënd që shkoje vetëm në terapi dhe çoje e merrje email-e, shikoje filma. Ti jetoje. Më habiste dje, por edhe sot talenti yt për të jetuar jetën. Në fakt duket poetike, por jo të gjithë jetojmë, vetëm pse jemi gjallë.
E dashur Vjosa, sot ripostova bisedën tonë në videopodcastin e realizuar në Mars. Dua të të shikojnë sa më shumë. Të të njohin ata që ndoshta sot po dëgjojnë për ty për herë të parë nëpër lajme e tituj, përmes vdekjes. Ti njihesh vetëm përmes jetës! Ta shohin: Trimen që ti ishe me sëmundjen dhe brishtësinë me të cilën trajtoje jetën, duke bërë çdo gjë në emër të saj. Si e the atë ditë, – “S`pi më alkool si dikur, por më shijon shumë edhe një ujë i ftohtë me lime” (limoni jeshil). Jam e lumtur që të takova, si njeri dhe si gazetare. Lutem të gjesh pak paqe atje dhe pak festë!
Kam besim tek ti!"- shkruan Mira Kazhani.
Më poshtë keni me foto të gjitha reagimet e VIP-ave shqiptarë.