“Më ftoi në Greqi”/ Grimieri shqiptar rrëfen takimin me Mazonakisin: Ishte shumë i kujdesshëm me paraqitjen dhe u besonte shqiptarëve

10 September 2026, 11:07Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Më ftoi në Greqi”/ Grimieri shqiptar rrëfen takimin
Fiori Dardha dhe Olti Shulla

Pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur grek George Mazonakis, grimieri shqiptar Olti Shulla ka rrëfyer për herë të parë në emisionin "Breaking" me Fiori Dardhën në Top News, disa nga kujtimet e tij nga takimi me artistin, të cilin e kishte grimuar gjatë koncertit të tij në Shqipëri në vitin 2024.

Shulla tregoi se bashkëpunimi nisi pasi organizatorët e koncertit e kontaktuan për t’u kujdesur për paraqitjen e këngëtarit. Pas përfundimit të grimit, Mazonakis i kërkoi organizatorëve që Shulla të qëndronte pranë tij edhe gjatë performancës së parë.

Sipas grimierit shqiptar, këngëtari ishte shumë i kujdesshëm për pamjen e tij dhe kishte një stil të veçantë.

“E kuptova që ishte tekanjoz, pa diskutim. Artistët kërkojnë gjithmonë të kenë një paraqitje sa më të mirë skenike”, rrëfeu Shulla.

Ai tregoi se Mazonakis e pëlqeu shumë punën e bërë dhe madje e ftoi të bashkëpunonin sërish në Greqi.

“Kur të kem bashkëpunime të tjera, pse jo, do të ftoj që të jesh aty pas meje, të merresh me flokët e mia dhe me grimin tim”, kujton Shulla fjalët e këngëtarit.

Një tjetër detaj që i ka mbetur në kujtesë grimierit është besimi fetar i Mazonakisit. Shulla tregoi se, pak para se të dilte në skenë, këngëtari kërkoi të qëndronte vetëm për disa minuta dhe u lut përpara se të niste koncertin.

“E kuptova sepse mbi tavolinë kishte një ikonë dhe një kryq. Tregonte që ishte shumë besimtar. Do të lutej përpara se të dilte në koncert”, tha ai.

Shulla theksoi gjithashtu marrëdhënien e mirë që Mazonakis kishte krijuar me shqiptarët. Sipas gazetarit Artur Bibe, i cili ishte në lidhje direkte nga Athina, këngëtari kishte bashkëpunuar me disa profesionistë shqiptarë dhe u besonte atyre.

Lajmi për vdekjen e artistit ka shkaktuar reagime të shumta edhe në Shqipëri, ku Mazonakis kishte zhvilluar koncerte dhe kishte një numër të konsiderueshëm fansash.


Video