Gazetarja Kleida Muka, e ftuar në emisionin “Top Story”, ka dhënë detaje mbi hetimet që lidhen me deputeten e Partisë Socialiste, Sara Mila.
Sipas saj, agjentët kanë pasur në dorë çështjen prej rreth gjashtë muajsh, ndërsa në fokus të hetimeve është edhe dyshimi për ndikimin në shpërndarjen e ndihmës ekonomike para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit.
Muka deklaroi se çështja ka qenë prej muajsh në duart e agjentëve, të cilët kanë marrë në pyetje edhe prokurorin Bledar Maksuti për rreth 40 minuta.
“Prej muajsh e ka pasur në dorë, afro 6 muaj e kishin në dorë agjentët, e morën në pyetje për 40 minuta. Pasi doli nga SPAK, e pyetëm se për çfarë është pyetur se ishte pa avokat dhe në mënyrë sportive tha ‘si person në dijeni’. Jemi mësuar me personat që paraqiten në SPAK e mbulojnë bisedën duke thënë ‘si person në dijeni’.
Nuk e kam të konfirmuar nëse është marrë si e akuzuar. Prokuroria e Elbasanit ka çuar në gjykatë 6 nëpunës. Te dosja e Prokurorisë së Elbasanit ka dhe dëshmi që thonë ‘drejtoresha më ka thënë të rris numrin’, nuk e di nëse bëhet fjalë për Sarën. Jepnin ndihma ekonomike dhe për familjet që nuk ishin në Shqipëri.
Ajo çfarë ka në dorë Prokuroria e Posaçme, është të verifikojë nëse ka ndikuar Sara Mila për marrjen e ndihmës ekonomike. Para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit. U hulumtuan 60 familje dhe 55 prej tyre rezultuan se u është hequr. Prokuroria e Elbasanit thotë që pas fillimit të hetimit, është ulur numri i familjeve që marrin ndihmën ekonomike.
Prokuroria duket se ka biseda direkte dhe indirekte që mund të lidhin Sara Milën me këtë çështje, 12 milionë të reja të abuzuara që shkuan te këto familje në mënyrë të padrejtë”, deklaroi gazetarja.
Ajo theksoi se SPAK-u duhet të thërrasë për të dhënë shpjegime edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje, përfshirë qytetarët që kanë depozituar kallëzime në Prokurorinë e Elbasanit.