
Tre persona kanë qëndruar 122 ditë në qeli në paraburgim, të akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, pasi gjatë një aksioni të policisë iu sekuestrua një sasi prej 245 gramësh “mall”.
Prokuroria e Dibrës priti më shumë se katër muaj për të përcaktuar nëse lënda ishte drogë apo jo. Madje, edhe pasi mori raportin e Policisë Shkencore, ku shkruhej se “lënda nuk është drogë dhe e ndaluar”, sërish nuk i kërkoi gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë.
Në redaksinë e Fiks Fare mbërriti një telefonatë nga Burgu i Burrelit, nga disa persona të ndaluar më 7 korrik 2026 në zonën e Milotit. Ata janë Dario Hysa (Bruçi), Mentor Kurti dhe Florenc Kurti. Policia i akuzoi se po prodhonin dhe shpërndanin lëndë narkotike, pasi iu gjet edhe një qese me 245 gramë lëndë. Ajo u sekuestrua, ndërsa tre personat u izoluan në qeli. Hetimet u ndoqën nga prokurorja Sonila Qerolla.
Të akuzuarit i thanë Fiks Fare nga burgu se lënda nuk ishte drogë dhe se po mbaheshin peng nga prokurorja, e cila, sipas tyre, nuk kishte kryer asnjë veprim. Ata thanë se nuk e kuptonin zgjatjen e hetimeve dhe mungesën e një përgjigjeje nga Policia Shkencore.
“Nuk është drogë dhe nuk e dimë përse po na mbajnë në burg. Na sëmurën”, thanë ata.
Më tej, njëri prej tyre pohon se, kur u paraqitën në gjykatë, prokurorja u tha se mund të kishin pasur dhe transportuar lëndë narkotike.
“Është duke bërë shkelje të plotë të ligjit, totalisht, për të vetmen arsye se nuk ka asnjë lloj prove. E dyta, malli është… Ajo që thotë është ‘mall’, ne nuk dimë asgjë.
Dhe përgjigjja e analizave është 21 ditë, 45 ditë, 60 ditë. Ne po bëjmë katër muaj, më datë 7 hyjmë në pesë muaj. Çfarë është kjo? Përgjigjja nuk ekziston. Janë tri masa arresti”, thotë Dario Hysa nga burgu.
“Ajo s’është mall fare. S’ka dalë asnjë gjë. Ne po bëjmë katër muaj brenda. Si mund të rrish brenda duke pritur testin? Ia kam thënë edhe zonjës gjyqtare në gjyq. Është njësoj sikur të më çojë gruaja, nëna e motra një kilogram miell, se do të bëjmë petulla.
Gjatë rrugës për në shtëpi na ndalon policia dhe thotë: ‘Unë dyshoj se kjo është drogë’. Deri sa ta testoj, do të rrish në burg. Ajo i ka zgjatur hetimet deri më datë 9 janar. Për çfarë të rri në burg unë, për atë miellin, kur nuk ka dalë testi? Ma përcakto pra nëse është drogë dhe, nëse e kam unë, me fakte dhe prova, unë do ta bëj burgun”, shton ai.
Telefonata mbërriti në Fiks Fare në mesin e muajit tetor 2026. Ndërkohë, disa ditë më vonë, më 16 tetor 2026, Policia Shkencore dërgoi raportin në Prokurorinë e Dibrës. Sipas raportit, lënda nuk ishte drogë. Pesha ishte 245 gramë dhe “nuk rezultoi me prani të ndonjë lënde narkotike e psikotrope të ndaluar me ligj”.
Megjithatë, edhe pas marrjes së këtij raporti, prokurorja Sonila Qerolla nuk i kërkoi gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë. Këtë kërkesë e paraqitën avokatët e tre personave.
Më 6 nëntor 2026, grupi i Fiks Fare udhëtoi drejt Gjykatës së Dibrës, ku u shqyrtua masa e sigurisë ndaj tre personave. Pas një kalvari prej plot 122 ditësh, gjykata vendosi lirimin e menjëhershëm nga burgu të të treve. Pra, ata nuk kishin shpërndarë lëndë narkotike.
Grupi i Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë prokurores Sonila Qerolla, duke i parashtruar disa pyetje, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje! (Fiks Fare)