
Farzad “Tony” Toutouni, 55 vjeç, i njohur në rrjetet sociale si “Mbreti iranian i Instagramit”, është arrestuar ditët e fundit nga agjentët e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave në SHBA. Arrestimi i tij u krye në Los Angeles, ndërsa autoritetet amerikane e akuzojnë për hyrje të paligjshme në territorin amerikan dhe përfshirje në një sërë veprash penale si mashtrim apo zhvatje.
Toutouni, shtetas iranian, ishte bërë i njohur në Instagram përmes profilit @lunatic_living, ku ndiqej nga më shumë se një milion persona. Ai publikonte vazhdimisht fotografi dhe video nga një jetë luksoze, me makina të shtrenjta, avionë privatë, para të shumta dhe festa me modele. 55-vjeçari jetonte në një vilë me vlerë rreth 5 milionë dollarë në zonën e Hollywood Hills.
Sipas autoriteteve, Toutouni kishte mbërritur fillimisht në SHBA në vitin 1983, ndërsa më vonë ishte përfshirë në një seri incidentesh dhe veprash penale. Lista e përmendur nga zyrtarët përfshin kërcënime kriminale, komplot, posedim dhe shitje të lëndëve narkotike, falsifikim, vjedhje, rrëmbim, grabitje dhe zhvatje.
Në vitin 1993, një gjykatës emigracioni urdhëroi largimin e tij nga SHBA, vendim që u përsërit edhe në vitin 1999. Sipas ICE, ai u deportua në Meksikë, por dyshohet se u rikthye ilegalisht në SHBA në vitin 2011, duke kaluar lumin pranë Michiganit me një mjet lundrues elektrik të blerë në Kanada.
Aktualisht, Toutouni mbahet në paraburgim federal, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për largimin e tij nga Shtetet e Bashkuara.