
Investitori Sparsh Sehgal ka hapur një debat mbi varësinë gjithnjë e më të madhe nga përmbajtjet e shkurtra, pasi vendosi të çaktivizojë Instagram Reels dhe YouTube Shorts në telefonin e tij.
Vetëm pak ditë pas nisjes së eksperimentit, Sehgal tha se filloi të kuptonte se sa shumë ishte bërë pjesë e rutinës së tij së përditshme lëvizja pa fund në videot e shkurtra.
Në një postim të gjatë në rrjetin social X, ai tregoi se ideja i lindi pasi, pas një pauze tre mujore, tentoi të rikthehej te leximi i një libri. Ai vuri re se përqendrimi i tij ishte dukshëm më i dobët dhe vendosi të kufizonte aksesin në videot e shkurtra në telefon.
Sehgal mund të përdorë ende Instagramin për mesazhe direkte, por sa herë përpiqet të hapë një Reel, aplikacioni mbyllet automatikisht.
“Tre ditët e fundit më kanë hapur sytë për mënyrën se sa thellë është bërë varësia e mendjes sonë nga Reels dhe lëvizja pa fund në përmbajtje”, shkroi ai.
Ditët e para të eksperimentit, sipas tij, treguan se videot e shkurtra ishin kthyer në një reagim automatik ndaj çdo momenti mërzie.
“Edhe nëse jam pa bërë asgjë për vetëm disa sekonda, për shembull në ashensor ose duke pritur që dikush të futet në një takim në Zoom, tani ndihem disi në ankth. Arsyeja: Reels ishin bërë një aktivitet mbushës për çdo moment kur mendja ime ishte e lirë. Stimulimi ishte dhe është jashtëzakonisht varësues”, shpjegoi ai.
Ai tha se vuri re edhe se sa automatike ishte bërë kjo sjellje. Në disa raste, e gjente veten duke hapur Instagramin dhe duke kërkuar Reels pa e menduar ndërgjegjshëm këtë veprim, çka sipas tij tregon se lëvizja nëpër videot e shkurtra ishte kthyer në një zakon të ngulitur.
Eksperimenti e bëri investitorin të reflektojë edhe mbi vlerën reale që merrte nga videot e shkurtra.
“Gjithashtu kuptova se sa e panevojshme është të shohësh Reels. Nuk ka ndonjë vlerë që ta kompensojë. I shikoja për meme, pra për argëtim, por e zëvendësova këtë me përmbajtje më të gjata argëtuese, si shfaqje stand-up dhe sitcom. Ka pak mërzi, po, por jo mungesë argëtimi”, shkroi ai.
Megjithatë, Sehgal pranoi se heqja dorë nga Reels mund të ketë edhe një kosto sociale. Platformat e përmbajtjeve të shkurtra janë bërë një burim i rëndësishëm i trendeve dhe referencave të kulturës pop, ku batuta, shprehje dhe tendenca të reja mund të shfaqen dhe të zhduken brenda pak ditësh.
“Kur të gjithë rreth teje konsumojnë të njëjtat trende dhe kanë të njëjtin kontekst e gjuhë për humorin, përfundon duke u ndjerë jashtë vendit nëse nuk i njeh këto trende. Të shohim nëse kjo do të ndodhë vërtet”, shtoi ai.
Shqetësimi i tij, megjithatë, nuk lidhet vetëm me argëtimin. Sehgal vuri në dukje se Reels janë kthyer gjithnjë e më shumë në një mënyrë për të zbuluar produkte, restorante, kafene, aplikacione dhe aktivitete në qytete.
Ai tha se disa prej blerjeve të fundit të veshjeve i kishte bërë pasi ishte ndikuar nga reklamat që kishte parë në Reels, ndërsa platforma e kishte ndihmuar gjithashtu të zbulonte bare dhe kafene.
“Reels nuk janë vetëm një stimul; ato janë gjithashtu një lloj motori kërkimi, ku algoritmi tashmë e di se çfarë dëshiron të kërkosh dhe ta shfaq paraprakisht. Ne jemi bërë të varur prej tyre jo vetëm për stimulimin mendor, por edhe për të zbuluar pothuajse gjithçka”, shkroi ai, shkruan VoxNews.
Sipas Sehgal, kjo e bën varësinë nga këto platforma edhe më komplekse. Njerëzit mund të mos i përdorin ato vetëm për të mbushur momentet e mërzisë, por edhe për të vendosur se çfarë të blejnë, ku të shkojnë dhe cilat janë tendencat më të fundit.
Shqetësimi i tij kryesor lidhet me ndikimin që një pajisje e vogël, e mbajtur gjatë gjithë ditës në dorë, mund të ketë mbi humorin, opinionet, zakonet e konsumit dhe rutinën e përditshme.
Në fund të postimit, Sehgal u bëri thirrje përdoruesve të jenë veçanërisht të kujdesshëm për ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve të shkurtra.
“Nëse keni vëllezër, motra më të vegjël ose fëmijë, mbrojini nga përmbajtjet e shkurtra ashtu siç do t’i mbronit nga duhani. Ndikimi në aftësitë njohëse, inteligjencën emocionale dhe IQ është shumë më i madh gjatë fazave të formimit të trurit”, këshilloi ai.
Eksperimenti i investitorit ka nxitur diskutime mbi mënyrën se si videot e shkurtra janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe se deri në çfarë mase algoritmet ndikojnë në vëmendjen, zakonet dhe zgjedhjet e përdoruesve.