
Kylie Jenner përballet me një tjetër padi gjyqësore, këtë herë nga një ish-punonjëse e shtëpisë së saj në Los Anxhelos. Gruaja e akuzon sipërmarrësen për keqtrajtim dhe lëndime të pësuara gjatë kohës që punonte në banesën e saj.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, Dinora Carolina Cambria Amaya pretendon se në një rast e kishin mbyllur brenda një dollapi për më shumë se një orë. Ajo tregon se gjatë kësaj kohe pësoi një krizë paniku dhe kërkoi ndihmë, por eprori i saj e tallte dhe qeshte me të. Në fund, dikush hapi derën dhe e ndihmoi të dilte.
Ish-punonjësja pretendon gjithashtu se në tetor të vitit 2025 u kafshua nga një qen teksa po pastronte vendin ku qëndronte kafsha. Në një tjetër incident, ajo u lëndua kur një spraj me piper u aktivizua aksidentalisht dhe përmbajtja e tij i spërkati fytyrën, ndërsa po rregullonte një sirtar.
Në padi thuhet se, pavarësisht lëndimeve, asaj i caktoheshin punë fizike të rënda. Gjithashtu, pretendon se nuk paguhej siç duhej për orët shtesë dhe nuk merrte kompensim për udhëtimet mes banesave të Jenner.
Amaya është shprehur se u pushua nga puna në shkurt të vitit 2026, pak pasi ngriti shqetësimin se një tjetër punonjëse merrte pagesë shtesë për shpenzimet e transportit, ndërsa asaj nuk i ofrohej e njëjta mundësi.
Nga ana tjetër, avokati i Kylie Jenner, Michael Rhodes, i ka hedhur poshtë akuzat. Ai pretendon se kjo padi është pjesë e disa çështjeve të ngjashme të ngritura nga i njëjti avokat në emër të ish-punonjësve të sipërmarrëses.
Avokati shtoi se nuk do të intimidohen nga këto akuza dhe se do t’i kundërshtojnë me forcë paditë, të cilat i cilësojnë të pabazuara. Ai u shpreh gjithashtu se presin të paraqesin versionin e tyre të ngjarjeve.