Për 11 vite iu nënshtrua kimioterapisë për të luftuar një tumor, që në të vërtetë nuk ekzistonte. Historia e pabesueshme vjen nga Mbretëria e Bashkuar dhe ka në qendër Becky Jones, sot 33 vjeçe, e cila në moshën 21-vjeçare mori një diagnozë tronditëse: një tumor në tru që, sipas mjekëve, do t’i linte vetëm pak muaj jetë. Më shumë se një dekadë më vonë, kjo diagnozë rezultoi e gabuar.
Fillimi i makthit
Becky e ka rrëfyer historinë e saj për BBC-në, nga kalvari mjekësor deri te beteja ligjore që ka ndërmarrë kundër institucionit shëndetësor në Coventry, në Angli, të cilin e akuzon se e nënshtroi për vite me radhë ndaj trajtimeve të panevojshme.
“Vazhdimisht më thoshin se pa kimioterapi, do të vdisja”, ka treguar ajo. Në të vërtetë, dhimbjet dhe shqetësimet nga të cilat vuante shkaktoheshin nga një inflamacion. Për trajtimin e tij do të mjaftonte një terapi me bazë steroidesh.
Sipas pacientes, analizat dhe ekzaminimet nuk kishin treguar kurrë praninë e një tumori. Megjithatë, mjekët i referoheshin një mase që, sipas tyre, ishte “e padukshme me sy të lirë”.
Situata u sqarua vetëm në vitin 2025. “Unë nuk kam pasur kurrë kancer në tru”, ka rrëfyer 33-vjeçarja. “Ka pasur një diagnozë të gabuar dhe unë iu nënshtrova këtyre trajtimeve për pjesën më të madhe të jetës sime si e rritur, pa asnjë arsye. Ma shkatërruan jetën”, shton ajo.
Zbulimi pas 11 vitesh
Ndërkohë, institucioni përgjegjës për diagnozën e gabuar është vënë nën hetim, pasi hetuesit kanë zbuluar se rasti i Becky-t nuk ishte i vetmi. Një grua tjetër, dyshohet se ka zhvilluar një formë leucemie pasi iu nënshtrua 100 cikleve të trajtimit të panevojshëm.
“Për vite me radhë vuajta nga të përzierat e vazhdueshme, dhimbjet e stomakut, plagët në gojë dhe një lodhje e pandërprerë. Ishte e tmerrshme”, ka treguar ajo. Mjekët i kishin thënë gjithashtu se nuk do të mund të kishte fëmijë. Megjithatë, Becky u bë nënë e dy fëmijëve.
“Më thoshin se ata ishin mrekulli”, ka rrëfyer ajo. Pasi ndërpreu trajtimin në vitin 2024, makthi mori fund një vit më vonë. Në vitin 2025, Becky iu drejtua neurokirurgëve dhe radiologëve, të cilët dhanë përfundimin e qartë: kanceri nuk kishte ekzistuar kurrë.