
Pas një rrëzimi nga shkëmbi në vitin 1996, ku theu të dyja thembrat, Cool u rikthye në alpinizëm dhe u ngjit 20 herë në majën më të lartë të botës.
Alpinisti britanik Kenton Cool është ngjitur 20 herë në majën e Everestit, edhe pse në vitin 1996 mjekët i thanë se nuk do të ecte dot më pa ndihmë.
Atë vit, ai u rrëzua nga një shkëmb dhe theu të dyja thembrat. Pas disa operacioneve dhe tre muajsh në karrocë, u kthye në alpinizëm dhe u ngjit në disa nga majat më të larta të botës.
Në vitin 2022, pas ngjitjes së 16-të, theu rekordin për më shumë ngjitje në Everest nga dikush që nuk është sherpa, populli vendas i Himalajeve që shpesh punon si udhërrëfyes në mal. Rekordin e përgjithshëm e mban Kami Rita Sherpa, me 32 ngjitje.
Everestin e pa për herë të parë si udhërrëfyes, kur një kompani nga Sheffieldi i kërkoi të udhëhiqte një ekspeditë. Në vitin 2006 hapi kompaninë e vet dhe tani merr vetëm një klient në vit, me të cilin përgatitet deri në tre vjet për ngjitjen.
Në mal ka përjetuar edhe momente të frikshme. Një herë u prish oksigjeni dhe iu desh ta ndante me alpinistët e tjerë. Në vitin 2013, një alpinist vdiq në krahët e tij.
“Mali nuk e merr parasysh nëse je ngjitur 20 herë apo vetëm një herë, aty mund të vdesë kushdo”, rrëfeu ai për The Guardian.
Megjithatë, Cool nuk ka ndër mend të ndalet së shpejti. Sipas tij, gjithçka ka qenë për përvojat, jo për numrat, ndërsa më shumë se mali, për të vlejnë vendi dhe njerëzit e tij.