
Kefiri është kthyer në një nga pijet më të përfolura për përfitimet e tij shëndetësore, por jo gjithçka që thuhet për të mbështetet nga studimet shkencore. Nutricionisti italian Pietro Mignano, në një intervistë për median Fanpage.it, shpjegon se kjo pije e fermentuar mund të jetë e dobishme për organizmin, por nuk duhet konsideruar si një produkt mrekullibërës.
Kefiri përgatitet përmes fermentimit të kokrrizave të posaçme në qumësht ose ujë dhe mund të përmbajë një shumëllojshmëri mikroorganizmash që mbështesin mikrobiotën e zorrëve. Sipas Mignanos, ai mund të ndihmojë shëndetin e sistemit tretës dhe të kontribuojë në ruajtjen e shëndetit të kockave, veçanërisht te gratë pas menopauzës.
Megjithatë, nutricionisti thekson se nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që kefiri rrit jetëgjatësinë apo se ka veti kuruese.
“Nuk ka asnjë studim që konfirmon një lidhje mes kefirit dhe rritjes së jetëgjatësisë. Nuk do t’i atribuoja as veti magjike për shëndetin e zorrëve, aq më pak veti kuruese.”
Për më tepër, te personat që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar ose nga fermentimi i tepërt në zorrë, konsumimi i tij mund të përkeqësojë shqetësimet.
Një tjetër çështje që ngre eksperti lidhet me kefirin që shitet në supermarkete. Disa produkte i nënshtrohen pasterizimit, një proces që përdor nxehtësinë për të eliminuar mikroorganizmat dhe që mund të ndikojë edhe te bakteret e dobishme të krijuara gjatë fermentimit.
“Përfitimet që përmendëm duhen parë me më shumë kujdes kur flasim për kefirin e supermarketit. Shumë prej këtyre produkteve pasterizohen, pra ngrohen për të eliminuar bakteret e padëshiruara, por ky proces mund të shkatërrojë edhe mikroorganizmat e dobishëm. Në këtë mënyrë, produkti mund të humbasë një pjesë të karakteristikave që lidhen me fermentimin.”
Gjithashtu, disa lloje kefiri përmbajnë sheqer të shtuar, çka e bën të rëndësishme kontrollimin e etiketës përpara blerjes.
“Duhet të ketë një afat relativisht të shkurtër skadence, të mos përmbajë sheqer apo forma të tjera të tij dhe, në përgjithësi, të jetë kefir i bardhë.”
Mignano këshillon që konsumatorët të zgjedhin produkte me përbërje sa më të thjeshtë, mundësisht kefir të bardhë pa sheqer të shtuar. Megjithatë, pasterizimi nuk e bën automatikisht një produkt të dëmshëm, pasi cilësia dhe përfitimet varen nga përbërja dhe mënyra e përpunimit.
Sipas nutricionistit, kefiri nuk është ushqimi i parë që shpallet si “superushqim”. Në periudha të ndryshme, të njëjtën vëmendje e kanë marrë boronicat, frutat e pyllit dhe manaferrat goji. Përhapja e shpejtë e informacionit në rrjetet sociale bën që përfitimet e disa ushqimeve të ekzagjerohen ose të paraqiten pa kontekstin e duhur shkencor.
“Informacionet që përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale shpesh përsëriten edhe nga njerëz që nuk janë specialistë të fushës dhe, gjatë këtij procesi, mund të keqinterpretohen. Është si loja e telefonit të prishur: mesazhi ndryshon sa herë që përcillet nga një person te tjetri.”
Sipas tij, kefiri mund të jetë pjesë e një diete të ekuilibruar, por nuk garanton jetëgjatësi dhe nuk zëvendëson trajtimin mjekësor. Përfitimet e tij varen nga përbërja, mënyra e përgatitjes dhe toleranca individuale.