Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për shtetasin Vladimir Kola, i akuzuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.
Sipas organit të akuzës, vrasja është kryer për motive hakmarrjeje, për shkak të një konflikti të mëparshëm që autori kishte pasur me vëllain e viktimës.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal të nisur në vitin 2022, Prokuroria ka kërkuar gjithashtu dënime me burg për katër persona të tjerë, të akuzuar për moskallëzim të krimit, përkrahje të autorit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kola kishte pasur vite më parë një konflikt me vëllain e viktimës, R.S., ndërsa familjarët e tij pretendonin se ky i fundit kishte qenë përgjegjës për plagosjen e të afërmit të tyre. Prokuroria vlerëson se ky konflikt i mëparshëm ka qenë motivi i vrasjes së Briken Sanajt.
Organi i akuzës pretendon gjithashtu se pas kryerjes së krimit, Vladimir Kola. ka ndërmarrë veprime për të shmangur gjurmët, duke hyrë dhe dalë nga Shqipëria përmes Malit të Zi. Ai dyshohet se ka blerë edhe automjetin e përdorur në ngjarje pa kryer procedurat përkatëse noteriale.
Njoftimi i plotë:
Vrasja për hakmarrje tek ‘Kodra e Diellit’, Prokuroria e Tiranës kërkon 35 vite burg për autorin shtetasin V.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon 35 vite burg për shtetasin V.K., për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet neni 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal me viktimë shtetasin B.S.
Si dhe dënimin me nga 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal, si dhe dënimin me 5 dhe 2 vite burgim për shtetasit E.H., dhe Z.K., të akuzuar për veprat penale ‘Përkhrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë drejtësinë’ parashikuar nga nenet 302 dhe 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 7911 të vitit 2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vlerësoi se shtetasi V.K. ka kryer me paramendim për hakmarrje vrasjen e shtetasit B.S., pasi ka pasur një konflikt me vëllain e tij, shtetasin R.S. vite më parë.
Ai kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria, duke hyrë e dalë nga Mali i Zi dhe duke blerë mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale.
Ky shtetas vite më parë ka pasur konflikt me vëllain e viktimës dhe ai dhe familjarët kanë pasur pretendime për plagosjen e familjarit të tyre.
Po kështu, në lidhje me këtë hetim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dëmin e tre dhe dy vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. të cilët edhe pse kishin dijeni nuk kallëzuan emrin e personit për të cilin kishin shitur makinën me të cilën u krye vrasja e viktimës, pa kontratë.
Ndërsa kërkesa për dënimin me pesë vite burg u bë për shtetasin E.H., i cili rezultoi se ka pritur në Malin e Zi shtetasin V.K., si dhe ka bërë përcjelljen e tij po nga ky shtet dhe ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin duke përkrahur autorin e krimit.
Së fundmi, për shtetasin Z.K., u kërkuan dy vite burgim pasi ka kryer fshirjen e kamerave të sigurisë kur i pandehuri V.K., kanë drekuar dhe kanë kryer blerjen e mjetit.