
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga ujërat e ndotura të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier, duke dërguar në gjyq kompaninë private 'Al Global Oil' dhe drejtuesin teknik të saj, Robert Shehaj. Ndaj tij rëndon vepra penale ‘Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës’.
Sipas hetimeve për procedimin penal të regjistruar në vitin 2023, ujërat teknologjike të uzinës, të vendosur në zonën e Drizës, në Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit, ku duhej t’i nënshtroheshin trajtimit përpara shkarkimit në pikën e autorizuar.
Nga hetimet ka rezultuar se ujërat e ndotura me lëndë hidrokarbure derdheshin në një përrua, i cili pas rreth 17 metrash përfundonte në lumin Gjanica. Sipas Prokurorisë, këto ujëra kishin mbetur në depozitat e uzinës edhe pas ndërprerjes së aktivitetit të saj.
"Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – “Gjendje e keqe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas megjithëse kishte dijeni për ekzistencën e pikës së shkarkimit dhe detyrimin për ta kontrolluar ose mbyllur atë, nuk kishte marrë masa për parandalimin e ndotjes.
Njoftimi i plotë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin R.Sh. dhe shoqërinë ‘A’ si person juridik për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës’ parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1484, të vitit 2023, nga provat e marra gjatë hetimeve paraprake rezultoi se ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, në Drizë, Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.
Nëpërmjet kësaj pike, ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica. Këto ujëra ishin gjeneruar gjatë punës së uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të saj.
Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – “Gjendje e keqe”.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm, Fier rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës, R.Sh., ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë. Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese.
Këto rrethana janë provuar me aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, me këqyrjen e vendit të ngjarjes, me analizat laboratorike, me deklarimet e personave që kanë dijeni dhe me aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në hetimin e veprave penale kundër mjedisit, të cilat cenojnë drejtpërdrejt faktorët mjedisorë. Theksojmë veçanërisht ndotjen e lumit Gjanica, e cila përbën një problem të mprehtë mjedisor për cilësinë e ujërave dhe për botën bimore e shtazore të këtij lumi. Prokuroria, në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe me Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të shkarkimit të lëndëve ndotëse në lumin Gjanica dhe ndjekjen penale të personave fizikë dhe juridikë përgjegjës.