Opozita llomotit për aferën e Portit të Durrësit, po përse nuk përmend ministren Belinda Balluku?!

12 November 2022, 10:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Opozita llomotit për aferën e Portit të Durrësit, po
Belinda Balluku dhe Sali Berisha gjatë një seance parlamentare

Nëse porti turistik i Durrësit është afera më e madhe korruptive, siç akuzon opozita dhe siç po dyshojnë një pjesë e mirë e shqiptarëve, kuzhina e gatimit të saj është në Ministrinë e Infrastrukturës dhe kryeshefja e kuzhinës është ministrja Belinda Balluku.

Por, asnjë deputet i opozitës nuk guxoi që t’i përmende emrin nga foltorja e Kuvendit, as t’i drejtonte gishtin, pavarësisht se me firmë të Belinda Ballukut akuzon se po i shiten vendit 1 milionë metër/katrorë truall me një vlerë të paktën 3 miliardë euro.

Jo vetëm kaq, por deputetët opozitarë nuk dënjuan as të denoncojnë se projetkligjit të dorëzuar dhe futur me procedurë të përshpejtuar në Kuvend i mungonte pjesa më e rëndësishme e tij, thelbi i gjithë aferës; marrëveshja e nënshkruar me Ministrinë e Financave.

Pse nuk e përmendi në asnjë rresht opozita Belinda Ballukun në akuzat e saj? Përgjigjen ndoshta e dha Enkelejd Alibeaj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha se e dinte që bëhej fjalë për një shifër marramendëse që do të mbyllte shumë gojë.

Gojë të mbyllura tha se do të kishte në radhët e deputetëve socialistë, në radhën e atyre të opozitës dhe në media. Por, edhe ai vetë dështoi që të shqiptonte në fjalim, apo drejtonte gishtin nga ministrja Balluku, si drejtuesja e projektit që opozita e akuzon si korruptive.

Dyshimet për këtë janë të forta, që nga fakti që investitori do të përjashtohet nga të gjitha taksat për një investim me kosto 2 miliard euro në një truall shtetëror të falur, që përllogaritet rreth 3 miliardë euro.

Nëse dyshimet rezultojnë të vërteta, atëherë ai që Belinda Balluku e quajti si projekti më madhor në vend që e fut Durrësin në hartën e turizmit elitar botëror, shndërrohet automatikisht në aferën më madhore korruptive, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në të gjithë Mesdheun.

Sipas kontratës së nënshkruar, Qeveria do të përfshihet aktivisht në projekt, por pa financuar. Paratë do të jenë të gjitha të kompanisë private. Por, cili është kushti që kompania ka pranuar këto terma? Brisida Shehaj thotë se kompanisë po i falet trualli pa përfituar asgjë në këmbim dhe veç kësaj, kompania përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe 3 përqindëshi i strehimit social, që me koston e 2 miliardë eurove, sa thuhet se do të jetë investimi vlera e taksave shkon deri në 70 deri në 100 mln euro.

Një tjetër pikë që ngre dyshime është ajo që vendos qeverinë të ndërmarrë shpronësimet dhe mbulojë kostot e tyre. Pse duhet kjo pikë, në një kohë që i gjithë projekti shtrihet në truall publik?

Brisida Shehaj thotë se përgjigja mund të jetë plani për të zgjeruar projektin me ndërtime në pronat përreth të zotëruara nga individë, apo kompani të tjera private. Ajo e cilëson këtë një megaaferë për të cilën po heshtin të gjithë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video