Ekskluzive/ Kush e donte të vdekur Joy nga Kenia, brinjë të thyera dhe hematoma në të gjithë trupin (Video)

9 November 2022, 13:10Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ekskluzive/ Kush e donte të vdekur Joy nga Kenia, brinjë të

Joy erdhi nga Kenia për të punuar në një kazino në Shqipëri, por data 12 gusht do ishte fatale për të. 22 vjeçarja u gjet poshtë pallatit e përgjakur, gati e vdekur, siç po bëheshin gati mjekët e Traumës ta shpallnin. Por fati ishte me Joy-n dhe ajo është ende gjallë edhe pse rëndë.

Burime për VoxNews nga spitali i Traumës thanë se truri i saj është dëmtuar shumë dhe për t'u rikuperuar ka nevojë për trajtim të specializuar në Itali.

Si ndodhi ngjarja

Joy u nis për në Shqipëri më 14 shkurt dhe mbërriti këtu më 15 shkurt. U punësua në një kazino në ndërtesën e stadiumit 'Air Albania' dhe i pëlqente puna dhe gjithçka tjetër në Shqipëri. 

Ishte duke punuar për turnin e natës të datës 12 gusht dhe kjo do të ishte edhe hera e fundit që do bisedonte me nënën e saj. 

"Mesazhi i fundit ishte në orën 3 të mëngjesit", thotë nëna e saj për Vox News.

Pasi u njoftua nga kompania për ngjarjen, ajo u nis nga Kenia për në Tiranë, ku gjeti vajzën në shërbimin intensiv të Spitalit të Traumës.

Joy nuk mund të merrte frymë dhe as të hapte sytë, nuk mund të bënte praktikisht asgjë.

Doktorët i thanë nënës, se gjendja e saj nuk është e mirë dhe se nuk kanë shpresa që vajza do të arrijë të marrë frymë e vetme.

U deshën dy javë që Joy të dilte nga frymëmarrja e detyruar. Më 11 tetor nga shërbimi intensiv, u transferua në pavijon.

Mësohet se 22 vjeçarja nga Kenia ka pasur një debat me shoqen e dhomës dhe pas asaj date, pas 1 gushtit, u transferua në një rezidencë tjetër, aty ku edhe tentuan ta vrisnin. 

Nëna e saj dëshmon se Joy i kishte rrëfyer, se një person po e ndiqte, nuk donte të kishte marrëdhënie me të por ai vazhdonte ta ndiqte.

E pyetur nga VoxNews në qoftë se ka ndonjë indicie, se kush e donte të vdekur Joy ajo tha se nuk ka asnjë emër dhe këtë ja ka lënë në duart e policisë.

Reagimi i shoqes së saj për VoxNews

Lavi Linda, shoqja e cila është kujdesur për Joy-n tha: "Kam qenë në merak për gjendjen e Joy-t. Në gusht erdha të jepja gjak për të, doktorët më thanë se ajo do të vdesë. Më thanë që t'i qëndroja pranë sepse është në gjëndje të rëndë. Fola me mamanë saj dhe ajo erdhi në shtator. Kemi shkuar në polici me mamanë e Joy-t dhe ata nuk na thanë asgjë. Tani çështja është në prokurori dhe mamasë së Joy-t i duhej një avokat. Një OJQ ka kontaktuar me të dhe i kanë thënë se do ta ndihmojnë.

Nuk di më shumë për kete histori por ajo që di është se ka 3 brinjë të thyera të nxira në fytyrë, në dorë, plagë në stomak dhe në krahë. 

Video e siguruar nga VoxNews mbi gjendjen e Joy nga Kenia


Rreth 3 muaj pas ngjarjes, Policia e Shtetit tha se ishte shoqja e saj që bëri denoncimin më 14 gusht, pasi kishte humbur kontaktet dhe nisën menjëherë hetimet.

Reagimi ka ardhur pas akuzave se policia e ka mbajtur të fshehtë dhe nuk e ka ndjekur ngjarjen për të zbuluar të vërtetën.

Njoftimi i policisë pas 3 muajsh

Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj.

"Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti".

Kujtojmë se vajza me emrin Joy, e cila punonte në një kazino, ndodhet ende shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ajo ka nevojë për një shumë të madhe parash, për tu dërguar në Itali për të marrë shërbim më të specializuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video