“Ikin çdo ditë 130 veta! Pse ikin këta nga kjo parajsë e punës dhe e punësimit?! Shqiptarët e dinë që në Greqi nuk ka punë, as në Itali nuk ka punë, madje shumë nga ata që ikin kthehen këtu për t’u futur në rreshtin e papunësisë”.
Këto fjalë janë të as më pak dhe as më shumë, por të vetë Edi Ramës. Ajo që ndryshon është koha dhe pozicioni. Koha është thuajse dhjetë vite më parë në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Pozicioni? Kryetar i opozitës.
“Kush thotë se ikja e njerëzve sot nga Shqipëria lidhet me qeverisjen nuk kupton asnjë gjë! Ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër”.
Këto janë fjalët e Edi Ramës në 2019-n. Pozicioni? Kryeministër.
E gjitha kjo është metamorfoza e kreut të qeverisë, që sot e kësaj dite i mëshon qëndrimit se emigrimi nuk lidhet me qeverisjen e tij, por me dëshirën e shqiptarëve për t’u larguar.
“Shqiptarët kanë emigruar gjithmonë dhe do të emigrojnë...”deklaronte së fundmi nga Kamza, ku mblodhi në një aktivitet edhe të rinj, si për të treguar se të rinjtë nuk po emigrojnë. Kjo është fasada. Faktet janë të tjera dhe janë kokëforta.
Anglia thotë se vetëm gjatë në 2022, 12 mijë të rinj shqiptarë kaluan La Manshin me gomone, ndërsa OKB ka dhënë alarmin se deri deri në 2100, Shqipëria do të tkurret në 1.1 mln banorë. Sipas shifrave të emigrimit të publikuara nga INSTAT, në 2021 janë larguar rreth 42 mijë shqiptarë në emigrim, ose 115 persona çdo ditë.
Duke iu rikthyer fjalës së Ramës si kryetar opozite, çdo ditë 115 shqiptarë ikin nga ‘parajsa e punës dhe e punësimit që ai ka krijuar pas thuajse një dekade në pushtet.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.