Presidenca ka humbur edhe simbolikën me Bajram Begajn (Video)

11 November 2022, 18:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenca ka humbur edhe simbolikën me Bajram Begajn (Video)
Bajram Begaj dhe Edi Rama pas votimit të Presidentit në Kuvend

Kompetencat e Presidentit të Republikës janë gërryer ndër vite nga të gjitha qeveritë. Askujt nuk i ka interesuar që pozicioni i lartë shtetëror të gëzonte të plota fuqitë që i dha Kushtetuta fillestare e 1998-s.

Herë me ndërhyrje të drejtpërdrejta dhe herë me ndërhyrje të fshehura nën alibinë e ndryshimeve Kushtetuese, sot institucioni i Presidentit është shndërruar në simbolik, pa fuqi për të kundërshtuar ligjërisht shumicat qeverisëse.

Por, me Presidentin Bajram Begaj po i humbet edhe ajo pak simbolikë që kishte mbijetuar dhe humbja po shpërfaqet në publik në mënyrën më rëndomtë të mundshme.

I tillë është rasti në konferencën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Ceremonia bëri bashke mes të tjerëve edhe Edi Ramën me Bajram Begajn.

Protokolli e kërkon që në të tilla raste, folësit u drejtohen personaliteteve kryesore që janë në sallë para se të mbajnë fjalën. Rama e shmangu Begajn, duke e përmbyllur vetëm me ‘Të dashur të pranishëm’.

Por, Bajram Begajt kjo nuk ja vrau veshin. Në momentin që mori fjalën, Presidenti e nisi atë me ‘i nderuar Kryeministër’ dhe vijoi më pas me të pranishmit e tjerë.

‘Incidenti’, nëse mund të quhet i tillë kaloi pa u vënë re, si krejtësisht normale. Por, ai mund të tregojë fare mirë një formë marrëdhënieje padron-servil në aksin Kryeministri-Presidencë.


Edhe para se të ndodhte kjo, Presidenti Begaj është akuzuar se nuk është në lartësinë e detyrës. Në muajin e katërt në detyrë ai asnjëherë nuk ka dalë jashtë linjës së qëndrimit të mazhorancës dhe as ka kthyer ndonjë ligj a vendim të saj.

Teste të kësaj natyre nuk ka pasur shumë, por një i tillë ishte sulmi i hakerave iranianë, që nxorrën të palarat e gjithë shtetit në pazar. Kjo nuk mjaftoi që Begaj të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Presidenti heshti për ditë me radhë, deri kur mblodhi Këshillin 3 muaj pasi shpërtheu sulmi. Me të drejtë disa mund të dyshojnë se koha që ai mori i është dashur për të marrë miratimin e Edi Ramës për këtë. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video