Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin ka uruar Armand Dukën pas rikonfirmimit në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.
Procesi është kontestuar nga rivalët dhe Dritan Shakohoxha ka paralajmëruar se do ta çojë cështjen në gjyq.
Letra e plotë
I dashur Zoti President, I dashur Armand,
Jam i lumtur t’ju uroj për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ju uroj më të mirat në këtë mandat të ri dhe jam besimplotë se futbolli në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet. Vetë Federata Shqiptare e Futbollit është shtylla kryesore e komunitetit të futbollit dhe punon shumë për të mbajtur në qendër të vëmendjes çështje kyçe si pjesëmarrja në evenimente të rëndësishme apo zhvillimi i infrastrukturës. Anëtarë të Komitetit HatTrick të UEFA-s, ku ju jeni edhe Zëvendës-Kryetar kanë vizituar së fundmi Shqipërinë për të parë nga afër progresin. Shumë shpejt, ju do të mirëprisni me ngrohtësi në skenë edhe futbollin europian, teksa do të luhet finalja e parë e UEFA Europa Conference League.
Armand, personalisht, do të doja t’ju falënderoja për angazhimin tuaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Të shprehura më sipër janë arritje shumë të veçanta për futbollin në Shqipëri, por është gjithashtu e rëndësishme të vlerësosh të gjithë punën që bëni për futbollin përtej kufijve tuaj.
Juaji sinqerisht,
Aleksander Čeferin
