
Policia njoftoi se është arrestuar një punonjëse e forcave operacionale pas informacioneve të marra prej autoriteteve kosovare se ajo dyshohet si pjesë e një grupi që grabiste shtëpi e makina në Kosovë.
Punonjësja e arrestuar është me incialet V.D. Ajo është ndalur së bashku me një person tjetër. Ajo ka udhëtuar herën e fundit me një makinë me qira. Atje dyshohet se ka vjedhur një makinë, të cilës pasi i ka hequr targat e Kosovës i ka vendosur targa të falsifikuara të Shqipërisë.
Punonjësja është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA), që ka nisur hetimet e thelluara për këtë rast.
Nga aq sa raportohet deri më tani, shtetasja V.D. dhe personat që ka bashkëpunuar ajo prezantoheshin si strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit, duke përdorur dhe mjetet e identifikimit dhe simbolet e Policisë së Shtetit.
Këtë teknikë dyshohet se ajo e ka përdorur dhe në hyrje të kufirit mes dy shteteve, duke u prezantuar si punonjës policie në pikën e kalimit kufitar në Muriqan. Prokuroria e akuzon për veprën penale “vjedhje” e kryer në bashkëpunim.