
Çmimet e naftës kërcyen të enjten në bursat ndërkombëtare. Treguesi referencë i naftës europiane Brent shkoi mbi 105 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014, pasi sulmi rus ndaj Ukrainës përkeqësoi shqetësimet për ndërprerjet e furnizimit global me energji.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës nga toka, ajri dhe deti, duke shënuar sulmin më të madh të një shteti kundër një tjetri në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë pohuar se do të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë si kundër përgjigje.
“Nëse sanksionet prekin transaksionet e pagesave, bankat ruse dhe ndoshta edhe sigurimin që mbulon dërgesat e naftës dhe gazit rus, ndërprerjet e furnizimit nuk mund të përjashtohen”, tha analisti i Commerzbank, Carsten Fritsch.
“Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës. Duke pasur parasysh inventarët e ulët dhe pakësimin e kapaciteteve rezervë, tregu i naftës nuk mund të përballojë ndërprerje të mëdha të furnizimit,” tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.
Shqipëria ka rezerva për tre muaj
Të kontaktuar nga Monitor, aktorët e tregut thanë se Shqipëria në bazë të ligjit, ka rezerva për tre muaj.
Nëse situata përshkallëzohet atëherë çmimet e naftës do të vijojnë rritjen dhe e gjithë vëmendja do të jetë se çfarë drejtimi do të marrë konflikti.
Aktualisht në tregun vendas, nafta është në nivele rekord prej 192-194 lekë. Rishikimi i fundit është bërë kur nafta në bursa tregtohet me rreth 90 dollarë për fuçi. Importuesit pohojnë se nëse tendenca rritëse vazhdon në bursa, shtrenjtimi i mëtejshëm i karburanteve në vend është i pashmangshëm.