Policia Rrugore ka shtuar kontrollet me makinë inteligjente dhe mjetet e tjera të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targash në Bypass-in e Fierit dhe në aksin rrugor Levan –Tepelenë, pas aksidentit tragjik me tre viktima pak ditë më parë.
Por, ajo që vihet re është se pavarësisht aksidenteve të shumta me vdekje, sërish drejtuesit e mjeteve vazhdojnë të ecin me shpejtësi të lartë. Radari i policisë ka kapur automjete që ecnin me shpejtësi nga 191 km/h deri në 244 km/h në Bypass-in e Fierit dhe nga 141 km/h deri në 176 km/h në aksin rrugor Levan – Tepelenë.
Gjatë kontrollit Policia Rrugore ka marrë këto masa:
78 leje drejtimi të pezulluara, për periudha nga 4 deri në 18 muaj, masa administrative nga 15.000 deri në 90.000 lekë të rinj, si dhe zbritje pikësh nga leja e drejtimit nga 10 deri në 13 pikë.
112 masa administrative u vendosën ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët makina inteligjente i skanoi gjatë punës së saj, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.
Masa administrative për:
•45 drejtues mjetesh që krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, përdornin edhe aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit;
•41 drejtues mjetesh që krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, nuk kishin vendosur rripin e sigurimit, si dhe
•30 drejtues mjetesh që u ndëshkuan për të trija shkeljet së bashku, për qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për mosvendosje të rripit të sigurimit.
Masat administrative ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve kanë variuar deri në 90.000 lekë te rinj.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi puna e Policisë në këtë drejtim nuk është aksion i përkohshëm, por do të vijojë pandërprerë, për të arritur qëllimin madhor, atë të rritjes së parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.