Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin me eksploziv të regjistruar pasditen e djeshme në Tiranë ku mbeti i vrarë 27-vjeçari nga Berati Aleksandër Sadikaj.
Nga hetimet ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip "Volkswagen" nga krahu i shoferit. Bëhet fjalë për reth 400 gram tritol, e mbështjelle me natriban dhe e futur në një kuti të zezë. Nga këto detaje, duket se, ndryshe nga herët e tjera ku janë përcjellë vetëm mesazhe, këtë herë autorët donin të ‘hiqnin qafe’ Aleksandër Sadikajn.
Burime bëjnë me dije se në makinën që u hodh në erë dhe me të cilën po udhëtonte Aleksandër Sadikaj, ekspertët kanë gjetur edhe një armë zjarri, të llojit pistoletë.
Pas ngjarjes, uniformat blu kanë marrë në pyetje familjarë, miq dhe të afërm të viktimës për të hedhur më shumë dritë mbi konfliktet e tij dhe lëvizjet që 27-vjeçari ka bërë ditët e fundit.
Po ashtu, është marrë në pyetje edhe pronari i mjetit tip "Volkswagen" me të cilin po udhëtonte Sadikaj, por sipas hetuesve ka pak gjasë që të ketë qenë ai objektivi i atentatit, pasi dyshimet janë se autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim të riun, derisa e eliminuan me bombë me telekomandë.
Hetuesit i kanë përqëndruar hetimet në dy drejtime, ku njëra pistë është hakmarrja, për shkak të të shkuarës së tij kriminale dhe pista tjetër, trafiku i drogës. Kjo e fundit, është pista më e mundshme, pasi për të riun blutë kanë pasur të dhëna dhe informacione që i kanë marrë në rrugë operative, se 27-vjeçari ka qenë anëtar i një grupi të fuqishëm kriminal, që merret me kultivimim të lëndëve narkotike në jug të Shqipërisë, dhe trafikimin e saj drejt Greqisë.
Sipas informacioneve të rezervuara nga policia e Shtetit, Sadikaj ishte personi kyç që bënte lidhjen dhe shitjen e drogës në vendin fqinj. Përveç kamerave të sigurisë të një biznesi që ndodhet pranë zonës ku u shpërthye mjeti, hetuesit kanë sekuestruar edhe kamera sigurie në vendet ku i riu ka frekuentuar të premten dhe mengjesin e së shtunës.
Gjithashtu mësohet se si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të lënduar edhe një grua me fëmijët e saj që kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tjetër në zonën ku ndodhi ngjarja.