Gjykata e Posaçme e Apelit ka liruar nga burgu ish gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha. Po ashtu ka lënë qelinë dhe ish-kryesekretarja e gjykatës Manuela Mallkuçi.
Ato kanë dalë nga qelia pasi iu ka përfunduar dënimin. Kujtojmë se një ditë më parë, gjykata e refuzoi lirimin, sepse nuk ishte plotësuar afati për shuarjen e masës së sigurisë.
Gjykata e Posaçme e dënoi Hoxhën me 3 vite burg mbi akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi 1/3 e uljes së dënimit. Po ashtu për ish-gjyqtaren u dha edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.
Enkeleida Hoxha u arrestua nga SPAK pas një operacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar.
Gjyqtarja njihet për lirimin e disa prej "kokave" të krimit si Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja (i njohur me nofkën UFO), Hekuran Billën ( u vra në vitin 2020) dhe para arrestimit do lironte edhe Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje.