Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka folur pasditen e sotme në emisionin “Zona Zero” në Top News për ngjarjen e ndodhur në protestën e opozitës, ku një 31-vjeçari Gert Shehu goditi me grusht kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Sipas Karamuços, sulmi ndaj Berishës po hetohet nga sektori i Antiterrorit dhe nuk e përjashtoi pistën e një nxitje të autorit nga një shtet tjetër jomiqësor me Shqipërinë.
“Duhet të hetohet se kush qëndron pas ngjarjes. Agresori dukej i ndërgjegjshëm. Ai mund të ketë pasur çrregullime mendore, por do jetë kuruar. Ekziston dhe mundësia që Gert Shehu të jetë përdorur nga një vend jomiqësor i Shqipërisë", tha eksperti.
Sipas Karamuços, nëse nuk do të ndodhej aty Erzen Breçani, mund të kishte ndodhur diçka më e rëndë, por sipas tij, ai si një ekspert policie, di si ta neutralizojë agresorin pas një krimi.
"Breçani është një nga njerëzit më të përgatitur në Shqipëri. Ai e di shumë mirë se çdo të thotë neutralizim, të një personi që ka kryer krim. Ata që e rrahën ishte vetëm ndëshkim. Nëse nuk do ishte Breçani nuk do kishin neutralizim të agresorit." tha Karamuço.