Projekti ‘Durrës Yacht Marina’ që do të ndërtohet në portin e Durrësit ka nisur shitjen e apartamenteve edhe pse projekti gjendet ende në letër.
Në faqen zyrtare të ’Durrës Yacht Marina’ njoftohet se shitja e tyre kas filluar sot edhe pse në zonën e portit nuk është hedhur asnjë tullë për ndërtimet e reja që po shiten.
Një garsoniere me sipërfaqe 63-64 metër katrorë, ende e pandërtuar nis me çmimin 110 mijë euro, ndërsa apartamentet më të mëdha shiten në vlerën e 1.2 milionë eurove, shkruan tch. Agjentët e kompanisë thonë se brenda 3 muajve të ardhshëm do të merret leja dhe do të nisin punimet.
Si do ndërtohet ‘Durrës Yacht Marina’:
Në fazën e parë do ndërtohen dy ndërtesa me apartamente si dhe një hotel që do përfundojnë për dy vite e më pas i gjithë projekti për 5 vjet dhe që përmban 13 mijë apartamente.
Kujtojmë se projekti për portin e Durrësit u miratua në parlament mes shumë kundërshtimesh nga opozita e cila e cilëson atë si aferën korruptive më të madhe të 30 viteve të fundit.
Projekti është rreth 2 miliardë euro një pjesë e së cilës do mblidhen nga shitja e apartamenteve. Shitja ka nisur sot edhe pse në terren nuk ka nisur asnjë punë konkrete ndërtimore ndërsa duhet shumë vite që të bëhet zhvendosja e portit dhe kalatave të mallrave drejt portit tjetër.
Nga ky projekt ne kemi parë një video 3D dhe një broshurë e publikuar në faqen zyrtare të hedhin më shumë dritë mbi projektin 'Durrës Yacht Marina’, i cili synon ta kthejë portin aktual në një port jahtesh luksoze dhe zonë banimi, duke synuar ta kthejë atë në një “qytet” jetese luksoze.