Ish zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ka hedhur poshtë pretendimet e të penduarit të SPAK-ut, Luftar Reçi. Agron Kuliçaj thotë se pretendimet e Reçit në letrën drejtuar Erjon Llapushit, nuk janë të vërteta.
Kuliçaj thekson se nuk e ka takuar kurrë vetëm Luftar Reçin dhe se Reçi nuk ka përfituar ulje dënimi dhe asnjë masë lehtësimi. Kuliçaj pohon se e ka takuar Luftar Reçin në prani të një drejtuesi të lartë policia dhe dy prokurorëve të krimeve të rënda, pas një letre që Reçi kishte dërguar për kriminalitetin. Takimi është zhvilluar me autorizim të kryeprokurores Ina Rama.
“Pretendimet e Luftar Reçit në letër nuk janë të vërteta. Nuk kam asnjë lidhje me këtë person. Nuk e kam takuar kurrë vetëm. E kam takuar për herë të parë pas një komunikimi me letër me Policinë e Shtetit, për të sqaruar disa pretendime të ndryshime kriminaliteti që ai pretendonte. Reçi kishte nisur një letër ku pretendonte se ishte në dijeni për disa ngjarje. Takimi është bërë në vitin 2008-2009 në prezencë të 1 drejtuesi të lartë të policie (Tonin Vocaj dhe dy prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Takimi është bërë me autorizim të kryeprokurores në atë kohë Ina Rama. Në asnjë rast nuk kam pasur as kontakte me të dhe as nuk e kam takuar. Nuk është e vërtetë që ka përfituar ulje dënimi. Është dënuar me 25 vite burg dhe Apeli ka lënë në fuqi këtë dënim”, tha Kuliçaj.