“T’i japim fund autokracisë Rama-Berisha”/ Aktivistja Vatnikaj: Kërkojmë konfiskimin e pasurive që i kanë marrë vendit

27 September 2026, 21:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në ditën e 120-të të protestës qytetare, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat e protestuesve, duke deklaruar se ata do të vijojnë të qëndrojnë në shesh deri në plotësimin e tyre.

Vatnikaj tha se protesta ka nisur si kundërshtim ndaj, sipas saj, dhunës shtetërore, korrupsionit dhe ndikimit të oligarkëve në vendimmarrje.

Aktivistja u shpreh se gjatë këtyre katër muajve, në protestë janë mbledhur qytetarë që, sipas saj, nuk e ndajnë Shqipërinë në grupe politike dhe nuk e shohin vendin si “plaçkë”.

Ajo theksoi se gjatë protestës qytetarët kanë treguar, sipas saj, se mund të bashkohen dhe të përballojnë presionet. Vatnikaj deklaroi se protestuesit do të vijojnë tubimet çdo ditë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“120 ditë revoltë kundër dhunës shtetërore dhe oligarkisë ekonomike.

Të mos harrojmë arsyet që na nxorën në shesh, të mos harrojmë dhunën në Zvërnec, korrupsionin qeveritar, qeverisjen nga bandat, oligarkët që kanë privatizuar të mirat publike.

Në 4 muaj kemi protestuar, në këtë shesh janë mbledhur shqiptarë të revoltuar që nuk e ndajnë Shqipërinë në grupe, që nuk e shohin mëmëdheun si plaçkë dhe protestën si mjet për të arritur synimet e tyre por si mundësi historike që Shqipëria të jetë republike demokratike.

Në këtë shesh për 4 muaj kemi treguar se ia dalim edhe të bëhemi bashkë e të besojmë te njëri-tjetri. Në shesh por 4 muaj që ta thonim troç që jemi kundër këtij sistemi dhe që kemi ardhur pavarësisht çdo presioni.

Jemi e do të jemi këtu çdo ditë deri në plotësimin e  kërkesave tona të pakundërshtueshme.

Kjo protestë ka qenë një shuplakë për trazicionin politik. Jemi këtu t’i themi fund autokracisë së Ramës dhe Berishës.

Jemi kthyer në republikë bananesh. Funksionon vetëm krimi i organizuar ku e vetmja industri është ajo e drogës. Kemi ardhur në shesh për të thënë haptaz që jemi kundër këtij modeli, vijmë pavarësisht çdo presioni. Jemi këtu çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave tona. E para, është dorëheqja e kryeministrit Rama dhe gjithë kabinetit. Mijëra qytetarë kanë ardhur dhe kanë thënë se nuk e duan më një sistem dy partiak. Dy emra të përveçëm që kanë qeverisur së bashku. Jemi sot si çdo ditë për të kërkuar që çdo qeveri të ketë vetë, dy mandate çdo kryeministër. Kjo protestë ka qenë një shuplakë e madhe edhe për tranzicionin politik. Kërkojmë konfiskimin e të gjithë të mirave publike që i kanë marrë këtij vendi”, tha Vatnikaj.


Video