Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur se pse ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, nuk e ka takuar, tha se për këtë duhet pyetur diplomati amerikan.
“Duhet të pyesni ambasadorin amerikan, jo mua. Unë nuk kam patur asnjë sanksion tjetër përveç vizës. Ka ligje të tjera që parashikojnë gjëra të tjera. Në atë kohë, u dërgua në Thesar kërkesa, pa asnjë bazë, për verifikim pasurie. Thesari tha që nuk ka asnjë motiv për sanksione ndaj Sali Berishës”, tha kreu demokrat në emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj.
“Mua më bënë nder pasi u bë një vetting dhe unë jam i vetmi politikan në Europë me dy vetting. Vetting të plotë deri te nipërit e mi para lindjes. Zero u gjet. U gjet se dhëndrri im dhe vajza ime kanë sponsorizuar 3 familje me fëmijë me autizëm në qendrën ku bashkëshortja ime punon prej 20 vitesh pa asnjë lloj shpërblimi. Kanë arritur deri aty, sikur të ishin nazistë, që të publikojnë emrat e fëmijëve autikë, duke traumatizuar familjet. Kështu që, unë u them studentëve që të mos presin kurrë zgjidhje nga individë të korruptuar”, shtoi Sali Berisha.