Shqipëria të bëhet si Zvicra, propozimi i Dash Shehit për referendumet

7 June 2022, 17:56Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria të bëhet si Zvicra, propozimi i Dash Shehit për

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi propozon lehtësimin e kritereve për zhvillimin e referendumeve, duke ulur numrin e firmave të nevojshme për mbajtjen e tij nga 50 mijë sa kërkohen aktualisht në vetëm 10 mijë.

Propozimi është dorëzuar në Kuvend.

“Referendumet mund të organizohen me nismën e organit më të lartë përfaqësues në nivel qendror ose vendor. Referendumet, mund të organizohen me nismën e drejtpërdrejt të shtetasve shqiptarë me të drejt vote. Nisma për të zhvilluar një referendum në shkallë Republike duhet të firmoset nga shtetas shqiptare me vendbanim brenda, ose jashtë territorit të Shqipërisë, që plotësojnë numrin e votave të zgjedhjes së një deputeti në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në raport me pjesëmarrjen e fundit në zgjedhjet qendrore”, thuhet në projektligj.

Në zgjedhjet e fundit, një deputet u zgjodh me mesatarisht 10 mijë vota, në varësi të qarkut ku kandidonte.

Shehi propozon edhe referendumet lokale, ku për këtë mjaftojnë firmat e numrit të votuesve të mjaftueshëm për zgjedhjen e një këshilltari bashkiak.

“Nisma për të zhvilluar një referendum vendor duhet të firmoset nga qytetarët e qytetit, apo qarkut përkatës, me vendbanim brenda, ose jashtë territorit të Shqipërisë, që plotësojnë numrin e votave të zgjedhjes së një këshilltari vendor, në raport me pjesëmarrjen e fundit në zgjedhjet vendore”, thuhet në propozim.

Projektligji e shndërron Shqipërinë teorikisht në një Zvicër sa i takon kësaj teme, pasi në shumë bashki të vendit, me përjashtim të bashkive të mëdha, këshilltarët janë zgjedhur edhe me 100 vota.

Propozohet që referendumet në shkallë Republike kanë fuqi juridike në të gjithë territorin e vendit, kurse ato vendore kanë fuqi juridike vetëm në hapësirën juridike të njësisë së qeverisjes vendore. Referendumet vendore propozohet që të zhvillohen në nivel Qarku, ose në nivel Bashkie.

Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të vendit, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, me taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund te shtrohen në asnjë formë referendumi.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video