"Synoj 50 mijë vota në zgjedhjet lokale", Agron Duka: PD të krijojë sa më shpejt dy parti

7 June 2022, 14:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Synoj 50 mijë vota në zgjedhjet lokale", Agron Duka: PD
Agron Duka

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka rikonfirmuar edhe një herë se forca politike që ai drejton do të hyjë më vete në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2023.

Ai ka deklaruar se partia e tij ka vënë qëllim të qartë për arritjen e 50 mijë votave në të gjithë vendin, si dhe synimin që të përfaqësohet me nga dy këshilltarë në Bashki. Sipas tij, nëse arrihet ky synim, kjo do të jetë një trampolinë e mirë në zgjedhjet e ardhshme.

“Kemi vënë objektiv që do synojmë nga dy këshilltarë për bashki, duam 50 mijë vota në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të jetë një trampolinë e mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për herë të parë pas 6 vitesh që unë jam kryetar i PAA, duam të garojmë me siglën e PAA, për arsye të ndryshme. Kësaj radhe do hyjmë çfarëdo që do bëhet. Ne do hyjmë në zgjedhjet vendore, nuk dëshirojmë të fusim anëtarët e Këshillit Bashkiak në listat e PD, duam ti kemi më vete. Nëse brenda nesh do futen forca të reja, mund të bëjmë lista të reja”, u shpreh Duka në një intervistë për MCN.

Lidhur me situatën në Partinë Demokratike, Duka deklaroi se është e ndarë në dy pjesë ku shumica është tek Grupi i Rithemelimit. Sipas tij, njëra palë pa tjetrën nuk fiton dot. Duka ka shtuar më tej se dy palët e PD-së të ndahen sa më shpejt në dy parti politike.

“Ti s’mund të fitosh dot kundër kandidatit të majtë. Nuk ka luks opozita të humbë asnjë votë. Sipas meje, është shumë e vështirë të bashkohen dhe unifikohen. Këto dy palë do krijojnë dy parti politike, duhet t’i bëjnë sa më shpejtë në mënyrë që të gjejmë fije kontakti dhe të nxjerrin kandidatë politike. Pse nuk e gjejnë dy palët guximin. Grupi Alibeaj të marrë guximin të dalë me parti më vete, ndoshta më vonë do rishkrihen pas. Sot e kanë shumë të vështirë të ribashkëpunojnë njeri me tjetrin. Nëse do bashkohen, bashkohuni se nuk kanë më kohë. Sali Berisha edhe të mos e ketë siglën e PD, do marrë vota më shumë se çdokush tjetër nga e djathta. Grupi i Rithemelimit e shkundi PD nga një letargji e gjatë, ku fajin kryesor ia atribuoi lidershipit Lulzim Basha dhe vendimet e marra prej tij i cilësoi si penalizim. Sali Berisha i vetëm me Grupin e Rithemelimit, nuk e sjellin dot Partinë Demokratike në pushtet”, u shpreh Duka.


Video