Arben Ahmetaj mbylli me bujë dhe pa shumë punë aventurën në krye të Partisë Socialiste të Vlorës, posti i fundit i rëndësishëm që i kishte ngelur pasi u largua me ceremoni nga kabineti qeveritar.
Edhe largimi nga drejtimi i PS-së së Vlorës ishte po aq ‘ceremonial’.
Rama nuk përmendi emra dhe i cilësoi ndryshimet si organizative pa ndonjë peshë të madhe. Por, e vërteta se koha e këtyre ndryshimeve pak muaj para zgjedhjeve merr një peshë të madhe.
"Ndryshime të natyrës organizative që nuk kanë ndonjë peshë, nuk janë ndryshime qeverie, të gjithë kanë detyrat dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur jemi drejt një fushate zgjedhore, s’ka asgjë të re. Nuk ka asnjë rëndësi që të hyjmë në emra të gjithë jemi shërbëtor, ku secili ka rolin e tij, kjo është një skuadër ku ka role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij”, tha Rama.
Blendi Klosi do të marrë drejtimin e Vlorës, ku siç Voxnews ka raportuar më herët ka një përçarje të thellë të strukturave, përçarje e nxitur prej drejtimit ‘intrigant’ të Arben Ahmetajt, siç pohojnë burimet.
Voxnews ka raportuar se pas largimit nga Qeveria në të njëjtën kohë që Ilir Meta përfundonte mandatin e Presidentit, Arben Ahmetaj i kishte të numëruara edhe ditët në krye të PS-së së Vlorës. Aq e thellë ishte përçarja e mbjellë prej tij në këtë qark, sa as vetë deputetët socialistë me njëri-tjetrin nuk kishin komunikim normal.
Situata e krijuar e bënte të pashmangshëm largimin e tij para zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.
Vendimi i fundit i Ramës është fundi pa lavdi i njeriut që prej 2016-s dhe sidomos në mandatin e dytë qeverisës ka qenë për një kohë të gjatë krahu i djathtë i Kryeministrit, që iu besua procesi i rindërtimit e deri te sigurimi i vaksinave anti-Covid.
Ndryshime ka patur dhe në Qarkun e Shkodrës, ku drejtimi i kryeqendrës së Veriut i është besuar Elisa Spiropalit në vend të Edona Bilalit, për shkak se kjo e fundit shtë në pritje të ëmbël dhe PS-së i nevojiten shumë energji që në zgjedhjet vendore të luftojë për bastionin e vetëm që i ka mbetur demokratëve.
Po ashtu edhe Pandeli Majko ka marrë një detyrë të re pasi është emëruar drejtues i Qarkut të Kukësit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.